Ndërlidhjet

Serbi - Hungari, refugjatët mbeten në "tokën e askujt"

  • RFE /RL

Edhe pas mbylljes së tërësishme të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, disa orë pas mesnatës kanë vazhduar që në kufi të arrijnë refugjatët nga Lindja e Mesme, me shpresën që policia hungareze, megjithatë do t’i lejojë ta kalojnë kufirin.

Një numër i madh i refugjatëve, kanë vrapuar me fëmijë dhe valixhe në duar, por ata janë penguar nga rrethoja, pas të cilit ishin vendosur kordonët e policisë dhe automjetet e blinduara. Kufitarët hungarez nuk kanë lejuar më askënd që të hyjë në territorin hungarez.

Një numër i madh njerëzish, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, gra, madje edhe shtatzëna, kanë qëndruar duke pritur kot para rrethojës së ngritur në kufi.

Vullnetarët që kishin dalë për t’i ndihmuar refugjatët, përpiqeshin t’i qetësonin dhe u kanë shpërndarë ushqim dhe ujë, si dhe i informonin për situatën momentale.

“Kam folur me policinë hungareze dhe më thanë se kufiri tash është i mbyllur. Kam biseduar më pas me policinë serbe dhe po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Nuk dëshirojmë që njerëzit të shkojnë vetë dhe të paorganizuar. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në këtë rrugë ka njerëz të rrezikshëm, trafikues të njerëzve, të cilët dëshirojnë të përfitojnë".

"Dëshirojmë t’ju ndihmojmë, por ju duhet të rrini së bashku, sidomos gratë dhe fëmijët. Do t’ju sjellim tenda, shtrojë për fjetje dhe ushqim për sonte, kështu që mund të flini pak. Nesër do të shohim se çfarë do të bëjmë”, u ka thënë njerëzve të tubuar një vullnetare.

Një i ri nga Afganistani, u ka thënë gazetarëve të Shërbimit për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë se ai, ashtu sikurse edhe njerëzit tjerë që kishin mbetur në anën serbe të kufirit, pranë rrethojave, nuk kanë asgjë të planifikuar.

“Kur kam ardhur këtu, kisha plan të vazhdoja tutje. Tash nuk kam asnjë plan. Situata është e tillë sa që nuk di a të rri tash këtu apo të shkoj në ndodnjë vend tjetër. Kur jemi nisur për këtu, nuk e kemi ditur se kufiri është mbyllur. Të gjithë këta njerëz dëshirojnë të shkojnë në ndonjë vend të mirë, për shembull në Gjermani, por tash kemi arritur deri këtu dhe po shohim se kufiri është i mbyllur”.

Grupe të mëdha të njerëzve kaën arritur në vendkalimin kufitar “Horgosh 2” që në orët e pasdites së djeshme. Kryesisht, ata janë sjellë me autobusë dhe në mënyrë të organizuar, nga qendra e pranimit e Kanjizhës e deri në hyrje të Horgoshit.

Aty i kanë pritur vullnetarët, të cilët i orientuan te vendkalimi kufitar, rreth 2 kilometra më larg.

“Njerëzit këtu dalin nga autobusët dhe atëherë duhet të ecin në këmbë rreth 2 kilometra deri në kufi. Ka mbetur vetëm edhe një dalje e vogël dhe deri aty duhet të arrijnë deri në mesnatë”, ka thënë një i ri, vullnetar, i cili tha se quhej Maks.

Rreth një orë para mesnatës, vendkalimi kufitar ishte mbyllur, ndërkaq një numër i madh i njerëzve qëndronin në radhë para rrethojës.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë pasi që të kalojmë. Po presim mjaft gjatë. Na kanë thënë se do të na lejojnë të kalojmë nëse qëndrojmë në radhë dhe nëse nuk qëndrojmë kështu në kolonë, askush nuk do të kalojë. Kemi udhëtuar me trena, me vetura e me autobusë... ky ka qenë udhëtim i gjatë. Dëshiroj vetëm të shkoj në ndonjë vend ku do të ndjehem i sigurt. Unë vetëm dëshiroj paqe, asgjë tjetër”, tha një i ri refugjat, i cili po qëndronte para kufirit hungarez.

Pak para mesnatës, policia hungareze e ka hapur portën dhe ka filluar t’i lejojë njerëzit të hyjnë në grupe nga pesë ose gjashtë persona, të koordinuar nga vullnetarët.

Pas mesnatës, pasi një grup prej qindra njerëzish arritën të hyjnë në Hungari, prej nga duhej që me autobus të barten deri në Austri, porta është mbyllur. Më pas, në kufi ka mbretëruar konfuzioni i madh dhe askush nuk di saktë se çfarë do të ndodhë më tej.

Sipas informatave të paverifikuara, ekziston mundësia që përmes “Horgosh 2” do të lejohen të hyjnë në Hungari nga 100 njerëz në ditë, para së gjithash, fëmijët dhe njerëzit me lëndime.

“Nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë...Gjithçka varet nga Hungaria”, u ka thënë një polic serb vullnetarëve që po ndihmojnë refugjatët.

Vullnetari, Igir Kubat, është revoltuar dukshëm me veprimet e policisë hungareze.

“Njerëzit me foshnje janë shtypur për rrethoja, ndërkaq policët vetëm soditnin, madje edhe qeshnin. Kuptoj hungarisht, sepse me prejardhje jam hungarez. I kam dëgjuar se si flasin ndërmjet tyre - mos keni dert, se të gjithë do t’i kthejnë. Ne, vullnetarët, të paktën kemi provuar të bëjmë diçka, ndërkaq ata nuk provuan asgjë".

"Duhet tu vijë turp. Nuk mund të shikoj më se çfarë u bëjnë refugjatëve.. Jam i neveritur nga e gjithë kjo”, tha Igor, i cili më u është drejtuar policëve hungarezë që qëndronin në anën e kundërt të rrethojës, duke ju bërtitur “Turp ju qoftë”.

Disa kilometra më larg, në një vend të vogël kufitar të quajtur Roske, policia, paraprakisht gjatë orëve të pasdites, në vendkalimin hekurudhor ka përforcuar rrethojën e lartë me tela gjembor, rreth 3 metra të lartë.

Më pas, ka vendosur një vagon me të cilin e ka vulosur drejtimin, përmes të cilit kanë hyrë refugjatët në Hungari, ditëve të kaluara.

Në Hungari, që nga mesnata kanë hyrë në fuqi edhe ligjet për kontrollin e kufirit, përmes të cilave do të pengojnë refugjatët që të hyjnë në territorin e këtij vendi.

Gjithashtu, lajm është edhe pjesëmarrja e ushtrisë në kontrollimin e kufirit, por edhe ndjekja penale e atyre që kanë kaluar ilegalisht atë.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG