Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë politike tejkalojnë sfidën e parë


Pamje nga Shkupi, foto nga arkivi

Pamje nga Shkupi, foto nga arkivi

Partitë politike në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e prokurorit special dhe ligjin në bazë të të cilit ai do të punojë në hetimin e aferës së përgjimeve, që edhe ishte shkas për uljen e partive në tryezën e bisedimeve, e të cilat kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit të së martës.

Bisedimet kanë zgjatur me ditë të tëra, por marrëveshja është arritur vetëm pas ndërhyrjes së ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së, Aivo Orav dhe Jess Baily, të cilët edhe kanë shpëtuar marrëveshjen politike pasi 15 shatori ishte dita e fundit për arritjen kompromisit për prokurorin special.

Partitë janë pajtuar që prokurore speciale të jetë Katica Janeva, aktualisht prokurore në gjykatën e Gjevgjelisë. Të gjitha partitë politike kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes.

Kreu i opozitës, Zoran Zaev, i cili edhe ka nxitur krizën politike me publikimin e asaj që njihet si "aferë e përgjimeve" është shprehur i kënaqur me kompromisin e arritur, duke besuar edhe në epilog gjyqësor për, siç ka thënë, “keqpërdorimet e shumta kriminale të zyrtarëve të dëshmuara nga bisedat e përgjuara telefonike“.

Zaev tha për Radion Evropa e Lirë se prokurori special vetë do të vendos për numrin e prokurorëve që do të jenë pjesë e ekipit të tij. Në fakt, dallimet rreth kësaj çështjeje kishin zvarritur arritjen e marrëveshjes mes partive.

“Jam i kënaqur me zgjidhjen ligjore pasi garanton autonomi të plotë në punën e prokurorit special. Ai ka të drejtën e plotë autonome të propozojë numrin e prokurorëve që do t'i ndihmojnë në punën e tij. Prokurori special do të ketë në dispozicion një buxhet të hapur si për ekipin e tij, ashtu dhe për ekspertë të huaj dhe për gjithçka tjetër që mund të ketë nevojë".

"Prokurori do të ketë një mandat prej katër viteve me të drejtë ri-zgjidhjeje. Mendoj se pavarësia në punën e tij është e garantuar. Bëhet fjalë për një prokurore e cila nuk ka kurrfarë ngjyrime politike. Besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet për një fillim të mirë të procesit gjyqësor që në fund të kemi një vendim i cili do të ishte në interes të qytetarëve të Maqedonisë“, ka deklaruar Zaev.

Lideri i opozitës ishte kërcënuar se në rast të dështimit të bisedimeve, do të vazhdonte publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të cilët pretendon se janë përfshirë në krime të rënda.

Njohësit e çështjeve juridike, nuk janë të kënaqur me zgjedhjen e prokurorit nga radhët e prokurorëve aktual.

Ata thonë se organet e pushtetit gjyqësor, përfshirë edhe prokurorët, kanë humbur besimin andaj prokurori special duhet të zgjidhej nga radhët e juristëve të njohur, të pa angazhuar në institucione apo profesorëve që ligjërojnë në universitetet e vendit.

“Duke marrë parasysh specifikën dhe rolin që ka prokurori special, vlerësoj se ai assesi nuk duhet të jetë nga struktura e prokurorëve aktual që janë të angazhuar në prokurorinë shtetërore".

"Kjo nga shkaku se vetë nevoja për zgjedhjen e prokurorit special buron nga fakti dhe dyshimet se prokuroria publike e ka bllokuar tërë procesin e përgjegjësisë penalo-juridike, sidomos për veprat që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar nga funksionar të lartë të pushteteve në Maqedoni“, thotë Osman Kadriu, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Megjithatë, ai thotë se tani pas marrëveshjes së arritur palët duhet të sillen me përgjegjësi, në veçanti institucionet, që të mos shantazhojnë punën e tij.

“Tani u mbetet institucioneve që të garantojnë një pavarësi të plotë në punën e prokurorit special, të jetë materialisht i pavarur, por në veçanti duke marr parasysh rolin dhe përgjegjësinë që ka, duhet të kihen parasysh komponentat e sigurisë pasi bëhet fjalë për ushtrimin e një përgjegjësie mjaft delikate dhe të ndjeshme“, thotë Kadriu.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që ishte pjesë e bisedimeve thonë se "marrëveshja parasheh aplikimin e parimit të Badinterit, jo vetëm në zgjedhjen e prokurorit special, por edhe të prokurorëve të tjerë duke garantuar me këtë legjitimitet të dyfishtë dhe konsensual të këtij institucioni".

Sipas BDI-së, ligji ia mundëson gjithashtu prokurorit special të drejtën e procedimit edhe të rasteve "Monstra" dhe "Sopoti", procese këto që kanë të bëjnë me dënimin e dhjetëra shqiptarëve, vendime këto që kontestohen jo vetëm nga familjarët, por edhe opinioni më i gjerë, përfshirë dhe partitë politike.

XS
SM
MD
LG