Ndërlidhjet

Ambasadori i OSBE-së: Rusia shkel vazhdimisht Marrëveshjen e Minskut


Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Daniel Bear.

Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Daniel Bear.

Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Daniel Bear, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Rusia po shkel vazhdimisht Marrëveshjen e Minskut për armëpushim në lindje të Ukrainës.

“Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje për armëpushimin, për ndërtimin e besimit, në mënyrë që të ndërmerren hapa shtensionues dhe bisedimet të lëvizin drejt nivelit politik. Ky është fokusi i përpjekjeve tona tani për tani”, thotë Bear.

Sipas Kombeve të Bashkuara, afro 8,000 persona janë vrarë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Luftimet midis forcave qeveritare atje dhe separatistëve pro-rusë kanë shpërthyer në prill të vitit 2014, pak ditë pasi Rusia ka aneksuar rajonin e Krimesë nga Ukraina.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë po ashtu Moskën për mbështetje të separatistëve me armë dhe ushtarë, ndonëse Kremlini i hedh poshtë këto akuza.

Separatistët pro-rusë kontrollojnë tash dy rajone të mëdha në lindje të Ukrainës – Luhanskn dhe Donjeckun.

“Ka pasur kufizime masive në territorin që kontrollohet nga separatistët. Misioni i Posaçëm i OSBE-së nuk ka mundur të ketë qasje të besueshme atje. Kjo është një vrimë e zezë dhe kush e di se çfarë është duke ndodhur. I gjithë kufiri Ukrainë-Rusi që nuk është nën kontrollin e Ukrainës, nuk është i arritshëm nga Misioni i Posaçëm i OSBE-së. Nuk do të duhej të ishte kështu sepse Rusia ka rënë dakord për monitorim ndërkombëtrar të kufirit ndërkombëtar. Ky ka qenë dështim i Rusisë për të zbatuar Marrëveshjen e Minskut”, thotë Baer.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive ruse, për shkak të ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG