Ndërlidhjet

logo-print

Rusia rrezikon “acarimin e konfliktit” në Siri

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Uashingtoni ka paralajmëruar Rusinë se lideri sirian, Bashar al-Assad, nuk ka rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë homologut rus, Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike, se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre se presidenti sirian duhet të japë dorëheqje, në mënyrë që palët tjera të arrijnë një zgjidhje politike që do t’i jepte fund luftës civile katërvjeçare.

Thirrja e Kerryt është bërë disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Assadin dhe i ka bërë thirrje pjesës tjetër të botës që t’i bashkohet Qeverisë së presidentit sirian në një koalicion për mposhtjen e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Në të njëjtën kohë, mediat ruse kanë transmetuar një intervistë me Assadin, i cili bën thirrje për një afrim me Perëndimin dhe grupet rebele siriane, për të mundur së bashku grupin xhihadist.

Po ashtu, i dërguari i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ka thënë në një intervistë për kanalin CBS se Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratave publike për të kundërtën, nuk duan më që Qeveria e Assadit të bie.

“Një nga shqetësimet serioze të Qeverisë amerikane tani është se regjimi i Assadit do të bie dhe Shteti Islamik do të marrë Damaskun, ndërsa SHBA-ja do të fajësohet për një gjë të tillë”, ka thënë Churkin.

Zyra e Sekretarit amerikan të Shtetit ka thënë se Kerry ka porositur Lavrovin se “mbështetja e vazhdueshme e Rusisë për presidentin Assad rrezikon acarimin dhe zgjerimin e konfliktit dhe minon qëllimin e përbashkët për të luftuar terrorizmin”.

Kerry ka ritheksuar angazhimin e SHBA-së për të luftuar militantët e Shtetit Islamik me një koalicion prej më shumë se 60 vendesh, “pjesë e të cilit Assadi nuk mund të jetë”.

“Sekretari ka thënë se nuk ka zgjidhje ushtarake të konfliktit të përgjithshëm në Siri, i cili mund të zgjidhet vetëm me një tranzicion politik pa Assadin”, citon komunikata e Departamentit amerikan të Shtetit.

Moska e sheh ushtrinë e Assadit si mburojë kundër rebelëve islamikë, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij insistojnë se vetë Qeveria e Damaskut është pjesë e problemit.

Perëndimi është duke bombarduar caqet e Shtetit Islamik brenda Sirisë dhe duke mbështetur forcat “e moderuara” rebele në luftën kundër xhihadistëve dhe qeverisë atje.

Pentagoni po ashtu ka thënë se Moska duket se është duke ndërtuar një bazë për operacione ajrore në Siri.

Lufta midis regjimit të Assadit dhe grupeve të ndryshme rebele ka vrarë deri më tash së paku 240,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona. (v.tela)

XS
SM
MD
LG