Ndërlidhjet

Pacientët ankohen për shkelje të drejtash


QKUK
QKUK

Shumë pacientë në Kosovë nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre. Zyrtarët që merren me këtë çështje, thonë se mungesa e informacioneve e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre.

Në Kosovë ekziston zyra për ankesa të pacientëve, ku Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti kanë marrë mbi 60 ankesa.

Ai shpjegon për natyrën e ankesave që zakonisht pranojnë nga ana e pacientëve.

"Ankesat më të mëdha i kemi marrë nga mungesa e mjekëve në vendin e punës, sjellje jo e mirë e mjekëve ndaj pacientëve dhe mungesës së barnave, gjithashtu edhe për korrupsion. Sa i përket pacientëve, vetëdija e tyre është e ulët, pasi që ata nuk i dinë të drejtat e tyre dhe ka një numër të vogël të ankesave", bën të ditur Kodra.

Për këtë çështje flasin edhe vetë pacientët. Ata kryesisht ankohen për mungesën e barnave të nevojshme për trajtim.

Vesa Kastrati, nëna e së cilës është e sëmurë nga diabeti, flet për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare, duke u ndërlidhur me të drejtat e pacientëve.

"Po flas për rastin konkret që më ka ndodhur. Nëna e sëmurë prej sëmundjes së sheqerit, ka shkuar në QKUK për trajtim. Atje nuk ka pasur as fashë sterile për të pastruar plagën, mos të flasim për barna".

"Ndërkohë, kur jemi lëshuar në shtëpi, ne kemi ftuar një infermiere në shtëpi për të na ndihmuar, dhe ajo me vete ka sjellë fashë sterile që i ka siguruar brenda institucionit ku punon. Derisa ne ishim aty, jemi detyruar t'i blejmë. Mendoj se të drejtat e pacientëve nuk respektohen aspak, por mbesim me shpresë që kjo gjendje do të rregullohet", thotë Kastrati.

Edhe një tjetër paciente thotë se është e zhgënjyer me kushtet dhe cilësinë e shërbimeve në institucione publike shëndetësore.

"Unë jam shumë e zhgënjyer si paciente, pasi që ka mungesë të barnave, mungesë të theksuar. Shumë rrallë me ndodhë të gjinden barnat e nevojshme, pothuajse çdo herë duhet t'i blejmë vetë, ndonëse nuk janë shumë të shtrenjta, por megjithatë detyrohemi vetë t'i sigurojmë . Po shpresoj shumë që do të hyjë në fuqi ligji për sigurime shëndetësore, dhe do të lirohemi pak ne si pacientë", shprehet ajo.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se marrin ankesa nga pacientët, qoftë përmes linjës telefonike falas për qytetarë, apo edhe përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, ku sipas këshilltarit politik në këtë ministri, Valbon Krasniqi, shumë nga ankesat tashmë janë shqyrtuar.

"Që nga nëntori i vitit 2013 është vënë në shërbim linja falas për qytetarët për të shprehur ankesat e qytetarëve që mund të kenë ndaj institucioneve shëndetësore. Nga janari deri në gusht të këtij viti, janë lajmëruar 125 qytetarë derisa për 82 ankesa, pacientët kanë marrë përgjigje", thekson Krasniqi.

Ai shton se ankesat kryesisht vijnë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare, pra nga kujdesi parësor shëndetësor, duke shpjeguar edhe natyrën e ankesave.

"Ankesat kryesisht janë të kujdesit parësor shëndetësor. Më së shumti kemi ankesa për mosprezencë të mjekut në vendin e punës, pastaj për mosqasje të mirë dhe sjellje jo korrekte ndaj pacientëve", thotë ai.

Ndërkaq, Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, e cila tashmë është themeluar, i ka të gjitha kompetencat dhe autorizimet ligjore që të merret me vlerësimin dhe pasojat si dhe ndërmarrjen e masave, në rast të dështimeve profesionale, gjë që ndërlidhet edhe me të drejtat e pacientëve.

Në anën tjetër, Sami Uka, zyrtar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pacientët nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre.

"Kohët e fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë përpjekje që të ndihmojë organizatat vendore profesionale në publikimin dhe përkthimin e botimeve të OBSH-së që kanë të bëjnë me të drejtat e pacientëve. Ne po bëjmë përpjekje që të fuqizojmë rolin e pacientëve në vendim- marrje lidhur me kujdesin që ju ofrohet”.

“Fatkeqësisht nuk mund të themi se jemi të kënaqur me nivelin e të drejtave që gëzojnë pacientët, dhe nivelin e shfrytëzimit të atyre të drejtave. Pacientët nuk janë të informuar sa duhet me të drejtat e tyre dhe kjo bën që ata ndonjëherë të mos jenë të vetëdijshëm se çka kanë të drejtë të presin prej shërbimeve shëndetësore, dhe jo rrallë edhe të zhgënjehen me atë që e marrin”, është shprehur zoti Uka.

Sidoqoftë, sipas hulumtimeve të bëra lidhur me atë se sa kanë njohuri pacientët për të drejtat e tyre, del se më shumë se 55 për qind e qytetarëve, nuk i dinë të drejtat që i kanë.

XS
SM
MD
LG