Ndërlidhjet

logo-print

A e ka telefonuar Putini Elton Johnin?

  • RFE /RL

Vladimir Putin dhe Elton John

Vladimir Putin dhe Elton John

Elton John dhe Vladimir Putin nuk shihen sy më sy në shumë çështje: para së gjithash, mbi të drejtat e pakicave seksuale në Rusi, që kur Moska fuqizoi një ligj kundërthënës para dy vjetësh, me të cilin ndalohet “propaganda homoseksuale”.

Dhe tani, duket se këto dy personalitete kanë gjetur një mospajtim të ri: a e ka telefonuar Putini këngëtarin britanik këtë javë apo jo, për të caktuar një takim sy më sy?

John ka bërë që shumëkush të mbetet gojëhapur këtë javë, kur e tha në llogarinë e tij në Instagram se ai dhe Putini kanë biseduar në telefon.

“Faleminderit presidentit Vladimir Putin që më ka kontaktuar përmes telefonit sot. Pres me padurim të takohem me ju për të diskutuar barazinë për komunitetin LGBT në Rusi”, ka shkruar John në postimin e tij të 14 shkurtit.

Elton John Instagram

Elton John Instagram

Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë agjencive ruse të lajmeve se nuk ka pasur asnjë thirrje telefonike.

​"Putini nuk ka biseduar me Elton Johnin dhe mbi të gjitha, ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga ai për ndonjë takim”, citohet të ketë thënë Peskov.

"Presidenti ka qenë gjithmonë i hapur për të diskutuar çështjet e të drejtave të njeriut. Jam i sigurt se president do të ishte i gatshëm të takohej edhe me Elton johnin, po të kishte kërkesë për një takim të këtillë”, ka thënë ai.

Elton John ndryshe mban koncerte të rregullta në Rusi, ku edhe gëzon një popullaritet të konsiderueshëm. Gjatë një koncerit në Shën Peterburg në nëntor të vitit të kaluar, ai ka folur për çështjen e të drejtave të homoseksualëve në Rusi, posaçërisht për heqjen e një statuje të një telefonit iPhone, e cila i ishte përkushtuar gjigantit amerikan Apple.

Drejtori ekzekutiv i këtij gjiganti, Tim Cook, është deklaruar hapur si homoseksual dhe statuja në nderim të kësaj kompanie është hequr nga Rusia për të respektuar ligjin kundër “propagandës homoseksuale”.

“Meqë Cook është gay, a do të thotë kjo se edhe iPadët janë propagandë gay?”, ka thënë John.

“Si një njeri homoseksual, kam qenë gjithmonë i mirëpritur në Rusi. Nëse nuk jam i ndershëm se cili jam unë, nuk do të mund ta bëja këtë muzikë që bëj. Muzika ime nuk është propagandë homoseksuale. Është mënyra se si e shpreh unë jetën”, citohet të ketë thënë Elton John, duke tërhequr vërejtjen se nëse njerëzit dënohen për mënyrën e të shprehurit, bota do ta humb humanitetin. [a.v.]

XS
SM
MD
LG