Ndërlidhjet

Prokurorja speciale përballë sfidave serioze


Katica Janeva

Katica Janeva

Prokuroja publike Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, me marrjen e detyrës është zotuar se brenda një muaji do të formojë ekipin e saj për të filluar punën rreth veprave penale të cilat ndërlidhen me aferën e përgjimeve.

“Unë sot këtu jam e vetme, por pas një muaji do të më shihni me ekipin tim dhe atëherë do t'i marrim në shqyrtim të gjitha lëndët, për të cilat jemi kompetentë”, është shprehur kështu, për herë të parë pasi ka marrë detyrën, prokurorja publike speciale.

Përderisa, ekspertët juridik thonë se Prokurorinë Speciale si institucion e pret një periudhë e vështirë, e mbushur me shumë sfida për të ndriçuar një varg rastesh.

Sipas përgjimeve të publikuara nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, shumë zyrtarë të shtetit lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Prokuroren Speciale e pret shumë punë, andaj duhet formuar sa më parë edhe një ekip profesional, dhe sa i përket pjesës organizative shteti me të gjitha kapacitetet duhet të vihet në funksion të punës së Prokurorisë Speciale si institucion, si në aspektin financiar ashtu dhe atë të bashkëpunimit me të gjitha institucionet nga të cilat do të ketë nevojë për të mbledhur dëshmi”, thekson Magarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse.

Ajo njëherësh ka theksuar se sa më shpejtë të procedohen lëndët që lidhen me korrupsionin, duke realizuar kështu pritjet e qytetarëve, aq shpejtë do të kthehet besimi i qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor.

“Prokurorja Speciale në një afat sa më të shkurtër kohor duhet të dalë me veprime konkrete, kur them menjëherë vërtetë mendoj menjëherë të dalë me ngritjen e aktakuzave ndaj rasteve të caktuara”.

“Kjo në masë të konsiderueshme do të ndikojë në zhbllokimin e sistemit gjyqësor nga direktivat e politikës; njëherësh do të inkurajojë edhe institucionet tjera të shtetit të funksionojnë në bazë të ligjeve dhe jo direktivave politike”, thekson Nikollovska.

Përderisa, për Bajram Pollozhanin, ekspert për çështje kushtetuese, pritjet nga Prokuroria publike Speciale nuk janë dhe aq inkurajuese, sepse siç thotë ai, nuk u ndryshua Ligji për Gjykata e as Ligji i Policisë në bazë të të cilit, Prokurori Special mund të kërkojë hetime plotësuese.

“Ndryshe do të ishte sikur të kishte ndryshuar kushtetuta, të ishin paraparë ndryshime në Ligjin për gjykata, të ishte ngritur një tribunal me gjykata dhe kolegje penale dhe speciale me status të pavarur nga ndikimet e pushtetit, por aspekti politik është kënaqur, rëndësi ka që kjo i hap rrugë zgjidhjes së krizës politike”, thekson Pollozhani.

Ai megjithatë shpreson se strukturat udhëheqëse të shtetit të cilat do të dalin nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm, do të angazhohen për formimin e një Gjykate Speciale e cila ekskluzivisht do të veprojë mbi lëndët që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Sistemi i ri, përkatësisht subjektet që do të dalin si fituese pas zgjedhjeve në prill të vitit të ardhshëm, mbase do të angazhohen në drejtim të realizimit të reformave në sistemin gjyqësor, në funksion të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, sepse edhe ashtu Kushtetuta e Maqedonisë duhet të pësojë ndryshime të cilat i përgjigjen raporteve me BE-në“ , ka shtuar Pollozhani.

Ndryshe, Këshilli i Prokurorëve publik, të martën vonë me propozim të Kuvendit, njëzëri e zgjodhi Katica Janevan për Prokurore të Posaçme publike, e cila në këtë post vjen nga vendi i prokurores në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli, ku punonte që nga viti 2003.

Me zgjedhjen e Janevës, u respektua afati i fundit i paraparë me marrëveshjen në mes katër liderëve politik me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës politike.

XS
SM
MD
LG