Ndërlidhjet

Ndryshimet tatimore ngarkojnë prodhuesit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ndryshimet tatimore të cilat kanë filluar të zbatohen nga një shtatori i këtij viti në Kosovë, nga disa përfaqësues të bizneseve po theksohet se po iu krijohen ngarkesa tatimore të mëdha kompanive prodhuese.

Ata tregojnë se janë ngarkuar me tatime më të mëdha sesa që kanë pasur para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Sipas Ligjit të ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, lënda e parë që shfrytëzohet për procesin e prodhimit lirohet nga TVSH-ja.

Por, që ky nen i këtij ligji, sipas pronarit të ndërmarrjes prodhuese “Euro Commerce”, Muharrem Osmani nuk është zbatuar.

“Nëse ata kanë filluar ta zbatojnë këtë ligj nga 1 shtatori, unë po ju them se në ditën e premte kam bërë një import të lëndës së parë dhe kam pagur edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar edhe tatimin doganor. Këtë ua kam bërë të ditur organeve kompetente".

"Ata më kanë udhëzuar që të bëj disa kërkesa në mënyrë që të lirohem nga ajo pagesë që e kam bërë, por procedurat të cilat ata thoshin t’i ndjek kërkojnë kohë dhe nuk kanë zgjidhje, pasi që i ndjeka disa nga proceduarat që ata më thanë, por disa prej tyre as që arrita t’i realizoj. Këto janë barriera të mëdha për neve si biznese”, ka deklaruar Osmani.

Pronari i ndërmarrjes “Euro Commerce” në Mitrovicë, merret me prodhimin e sapunëve të lëngshëm dhe prodhimin e ambalazheve, ka treguar se për këtë lëndë të parë ka pagur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 18 për qind, derisa para hyrjes në fuqi të këtij ligji kishte paguar 16 për qind TVSH-së.

Sipas tij, ndryshimet në Ligji për Tatimin Mbi Vlerën janë bërë për të mbushur arkën e shtetit dhe në asnjë mënyrë për të lehtësuar bizneset prodhuese.

“Unë këtu nuk po shoh zgjidhje, por këtu po shoh maltretime që po ju bëhen bizneseve. Ne nuk jemi duke pagur 16 për qind por 18 për qind e që është një kosto për neve dhe një kosto edhe për konsumatorin që do të paguajë për produktin final. Kjo nuk është lehtësim për bizneset, kjo është vetëm një mbushje për arkën e shtetit”, ka shtruar Osmani.

Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Kosovë, tani përcakton dy norma të TVSH-së, si norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Pagesën që disa biznese po e bëjnë për importin e lëndës së parë e ka konfirmuar edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

“Përshkallëzimi i TVSH-së në ditët e para të implementimit të saj ka rezultuar se nuk ka sjellë efekt pozitiv ne ekonominë e vendit e në veçanti në importin e lëndës së parë për prodhuesit vendor”.

“Këta janë detyruar që të paguajnë taksën e TVSH-së të plotë 18 për qind, kurse i njëjti produkt i gatshëm që është importuar nga shtetet tjera është paguar me TVSH-të reduktuar 8 për qind. Kjo ka krijuar një moment tejet diskriminues ndaj prodhuesve vendor”, ka sqaruar Shahini.

Sidoqoftë, Ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si pjesë përbërëse e paketës fiskale të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nga përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës, është theksuar se do t’iu mundësojë lehtësira të mëdha bizneseve prodhuese në vend.

Kjo pako e re fiskale, ishte thënë se do t'iu mundësojë të gjitha bizneseve që të dalin në treg me çmime më të lira dhe më konkurruese.

XS
SM
MD
LG