Ndërlidhjet

Amnesty International kërkon nga Hungaria ribashkimin familjar të migrantëve


Amensty International

Amensty International

Së paku nëntë persona, përfshirë këtu edhe katër fëmijë, janë ndarë nga familjet e tyre gjatë përplasjeve ndërmjet autoriteteve hungareze dhe migrantëve nga Lindja e Mesme, në kufirin Serbi – Hungari.

Amnesty International ka bërë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe ribashkimin me familjet e tyre.

Vend-ndodhja e tyre e saktë nuk dihet ende, por ata mendohet se janë dërguar në një ndërtesë e cila gjendet afër qendrës për kontrollin e kufirit në Hungari.

“Familjet kërkojnë dëshpërimisht të bashkohen me fëmijët e tyre. Ata jo vetëm që kanë përjetuar një rrugëtim traumatik deri në këtë pikë kufitare dhe përdorimin e forcës nga policia – tani kanë humbur edhe sigurinë e të qenit të me familjet e tyre. Autoritetet hungareze duhet të lirojnë menjëherë këta fëmijë dhe t’i dorëzojnë te familjet e tyre”, ka thënë Tirana Hassan, drejtore për situata krizash në Amnesty International, e cila ka qenë në vendin e ngjarjes.

Më 16 shtator, në orët e pasditës, në vendkalimin kufitar Horgosh ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, kanë shpërthyer përplasjet ndërmjet autoriteteve hungareze të rendit dhe migrantëve të cilët po kërkonin të kalonin transit në Hungari. Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë më 15 shtator.

Amnesty International pohon se ka parë një polic hungarez duke iu afruar një babai që kërkonte të dinte vend-ndodhjen e dy fëmijëve të tij, gjashtë dhe tetë vjeç, e të cilin polici e kishte shtyrë me shufër gome atë dhe një punonjëse të UNHCR-së.

XS
SM
MD
LG