Ndërlidhjet

Shtyhet seanca e Kuvendit për marrëveshjet me Serbinë


Kuvendi i Kosovës, foto arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto arkivi

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë raportimin për marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Mustafa e ka arsyetuar këtë kërkesë me faktin se në seancë nuk janë të pranishëm disa nga ministrat e përfshirë në kuadër të dialogut.

Shtyrja e debatit është mbështetur nga dy partitë e koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kurse partitë politike në opozitë e kanë cilësuar këtë veprim më tepër si fshehje nga marrëveshjet të cilat, tri partitë opozitare i shohin, në dëm të interesave të Kosovës.

Ndërsa votimi për shtyrjen e kësaj pike ishte në zhvillim e sipër, deputetët nga opozita, kryesisht ata të Lëvizjes Vetëvendosjes, por edhe disa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, u barrikaduan para kryesuesit të seancës, Sabri Hamiti, duke ia pamundësuar atij që të kumtojë rezultatin e votimit dhe vazhdimin e seancës.

Debati për marrëveshjet e Brukselit është kërkuar që të zhvillohet më datën 22 shtator. Kryesia e Kuvendit pritet të mblidhet të hënën për të saktësuar seancën e radhës.

XS
SM
MD
LG