Ndërlidhjet

Tabanovc: Nuk ka të ndalur fluksi i migrantëve


Mbi 2000 refugjatë nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, me trena dhe autobusë nga Gjevgjelia kanë arritur të enjten në pikën kufitare Tabanovc ndërmjet Maqedonisë dhe Serbinë , duke kaluar më këmbë kufirin për të arritur deri në Preshevë.

Migrantët për Radion Evropa e Lirë thonë se rrugëtimi deri në Maqedoni për ta nuk ka qenë aspak i lehtë.

"Në Greqi arritëm me anije, pastaj me tren arritëm deri këtu, shërbimi ka qenë në rregull vetëm se nevojiten më shumë tualete, ngase treni ishte i stërmbushur me njerëz dhe nuk kishte vend për të gjithë, shumë nga njerëzit flinin në dysheme".

"Tani do të udhëtojmë në këmbë 6 deri në 7 kilometra, derisa të arrijmë në qendrën e refugjatëve në Preshevë”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë Nihad Ahmad nga Iraku, i cili bashkë me shokët e tij synon të arrijë në Angli.

“Në Evropë jemi nisur për më shumë gjëra; e para të gjejmë një vend të sigurt sepse Evropa është e njohur për humanitetin e saj dhe si e dyta, dëshirojmë t'u sigurojmë një të ardhme më të sigurt fëmijëve tanë dhe mbi të gjitha të shpëtojmë nga vrasjet e pakuptimta që ndodhin në vendin tonë”, thotë Muhaz Hamad nga Siria.

Migrantët thonë se mbyllja e kufirit hungarez ka bërë që të ndryshojnë vijën e rrugëtimit, duke udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian përmes Kroacisë.

“Unë jam i vendosur të ec gjersa të gjej një shtet, i cili do të na i hap dyert si Kroacia apo Sllovenia, sepse Hungaria u shndërrua në një shtet që u shkakton probleme të mëdha refugjatëve. Pra, shpresojmë të arrijmë në Austri, por askush nga ne nuk e di saktë se si do të arrijmë. Ne ikim nga vendlindja jonë të detyruar nga tmerri i luftës që ndodh atje”, thotë Rijan nga Siria.

Ata pasi arrijnë në Tabanovc qëndrojnë vetëm disa minuta, sa për të marrë pak ushqim, ndihma këto që i shpërndajnë organizatat humanitare.

Sead Ramadani nga organizata humanitare “Vllaznia”, thotë se migrantët përpos që janë të rraskapitur nga rruga e gjatë, janë të uritur dhe të etur.

“Migrantët janë të uritur, kalojnë një rrugë të gjatë kështu që nuk ka asnjë që kalon këndej dhe nuk është i interesuar të marrë pak ndihmë në ushqim dhe ujë. Njëherësh shpërndajmë dhe bartëse “kangur” për fëmijët e vegjël sepse pjesa më e madhe e nënave, foshnjat e tyre i mbajnë në krahë".

"Madje shpërndajmë dhe lodra për fëmijë, kjo mund të mos jetë një ndihmesë shumë e madhe, por për fëmijët kjo paraqet një gëzim“, nënvizon Sead Ramadani.

Qendra e refugjatëve në Tabanovc e cila është e ngritur edhe me ndihmën e UNHCR-së është e boshatisur sepse migrantët me të arritur këtu, pas disa minutash vazhdojnë rrugën drejt Serbisë, por autoritetet zyrtare të vendit thonë se kampi do të shërbejë për ditët e ftohta, nëse potencialisht bllokohet kufiri me Serbinë.

XS
SM
MD
LG