Ndërlidhjet

Opozita pamundëson vazhdimin e seancës


Kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të shtyhet për datën 22 shtator debati për marrëveshjet e arritura me Serbinë në dialogun e Brukselit ka nxitur tensione në Kuvendin e Kosovës.

Ndonëse kërkesa e kryeministrit Mustafa u përkrah nga partitë e koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pakicat, ajo u kundërshtua ashpër nga opozita.

Ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ai i cili paralajmëroi se seanca nuk mund të vazhdonte po që se kryeministri nuk do të paraqitej aty.

"Vet Isa Mustafa ka kërkuar debat për 'zajednicën' (termi që Vetëvendosje përdorë për asociacionin), kurse tash po fshihet pas Hashim Thaçit i cili nuk ndodhet këtu, por në Londër".

"Nëse Isa Mustafa ka zgjedhur që të tallet me Kuvendin dhe me deputetët në këtë mënyrë, si grupe parlamentare opozitare do ta pamundësojmë vazhdimin e mëtejshëm të seancës nëse kryeministri nuk vjen për t'u ballafaquar për marrëveshjet me Serbinë", ka thënë Konjufca.

Kryeministri Isa Mustafa e ka arsyetuar kërkesën e tij për shtyrjen e raportimit me faktin se në seancë nuk ishin të pranishëm disa nga ministrat qofshin të përfshirë në kuadër të dialogut me Serbinë apo në çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjet e arritura.

Këtë arsyetim e ka lexuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

"Është kuptuar që një numër i madh i anëtarëve të qeverisë të cilët kanë qenë të kyçur drejtpërdrejtë apo në forma tjera nuk do të jenë këtu në seancë, andaj është kërkesa e kryeministrit që të shtyhet pika për raportimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht, 2015, të shtyhet për javën e ardhshme, mundësisht më 22 shtator", ka deklaruar Beqiri.

Marrëveshjet me Serbinë, opozita po i cilëson në dëm të interesave të Kosovës. Aty, përfshihet edhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Kryetari dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se nuk do të ketë normalitet në Kosovë, përderisa Mustafa të mos heq dorë nga këto marrëveshje.

"Le ta tërheq nënshkrimin Isa Mustafa ku e ka qit dhe të kthehemi në normalitet e të bëjmë pozitë e opozitë e të flasim për korrupsion, për investime e vende të punës. Pa e tërheq këtë nënshkrim Mustafa nuk ka normalitet as në këtë Parlament e as në Kosovë", ka thënë Haradinaj.

Sidoqoftë, sipas procedurave, kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit, deshi që ta vë në votim propozimin për shtyrjen e raportimit të kryeministrit Mustafa.

Por, siç kishin paralajmëruar, para foltores së kryesuesit të seancës, u grumbulluan deputetët opozitar të cilët edhe ia ndalnin kohë pas kohe mikrofonin kryesuesit Hamiti.

Pas pauzës prej 10 minutave, kryesuesi Sabri Hamiti është kthyer në sallën e Kuvendit, por aty pa se në ulësen e tij qëndronte deputetja e Vetëvendosjes, Aida Durguti.

Atëherë, Hamiti kumtoi vendimin aty për aty, se seanca ndërpritet, kurse vendimin se kur do të vazhdoj ajo do ta merr Kryesia e Kuvendit ditën e hënë.

XS
SM
MD
LG