Ndërlidhjet

Refugjatët të bllokuar në Horgosh, vërshojnë Kroacinë


Refugjatët në Horgosh
Refugjatët në Horgosh

Është vështirë të thuhet numri i saktë i refugjatëve pranë vendkalimit kufitar Horgosh, ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, i cili është mbyllur tërësisht me rrethojë metalike, i forcuar me tela gjemborë.

Por, vlerësohet se në secilin moment, para portës ku është vendkalimi zyrtar, janë rreth 1 mijë njerëz.

Rreth 20 policë serbë kujdestarojnë para rrethojës, ndërkaq që refugjatët, shumica nga Siria, Afganistani, disa metra pranë rrethojës kanë vendosur një të ashtuquajtur “mur të gjallë”, duke u mbajtur për duar.

Në anën tjetër, dhjetëra bashkë-udhëtarë të tyre janë ulur me pankarta në duar, në të cilat është shkruar “Hapeni portën, kjo është Evropë dhe ne dëshirojmë paqe”. Protesta kishte filluar duke falënderuar Serbinë për trajtimin që u bën “Faleminderit Serbi, faleminderit Serbi...”

Refugjatët që kanë për qëllim të qëndrojnë para portës në Horgosh, thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Abdul nga Siria, thotë se aty është me bashkëshorten dhe foshnjën.

“Katastrofë, fare nuk është mirë. Kam familjen dhe një foshnje, por ne nuk kemi para as për autobus, taksi e as për aeroplan. Duhet të presim këtu, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha siriani.

Nevit nga Afganistani, është nisur me familjen e tij për në Kanjizhë.

“Unë dhe miqtë e mi kemi qenë këtu në kufi tash e tre ditë. Por, siç po shihni, ajo ai është i mbyllur, ndërkohë që po vijnë të tjerë refugjatë. Po dëgjojmë se mbase do të mbyllen kufijtë edhe të Greqisë dhe të Maqedonisë. Nuk dimë se çfarë të bëjmë apo çfarë të mendojmë. Jemi nisur për në Kanjizhë, sepse na kanë thënë njerëzit nga Kombet e Bashkuara se mund të shkojmë për në Bashkimin Evropian përmes një rruge tjetër”, tha Nevit.

Rruga tjetër për në Bashkimin Evropian, për shumicën e refugjatëve shihet si e mundshme, përmes Kroacisë.

Në Kroaci, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi, kanë hyrë rreth 6 mijë e 200 refugjatë.

Që nga e mërkuara, ata po arrijnë në Kroaci me autobusët nga Serbia. Shumica e tyre janë në rajonin: Tovarnik, Ilok dhe Batine.

Për shumicën e refugjatëve, kanë kaluar shumë javë para se këta autobusë, me të cilët kanë udhëtuar të enjten, t’i sjellin në afërsi prej 1 kilometri deri te Kroacia, shtet brenda Bashkimit Evropian.

Ahmeti, 19 vjeçar nga Siria, i cili po udhëtonte me babanë e tij, dajën dhe me një mik, tha se kanë udhëtuar rreth një kilometër, në këmbë, deri te vendkalimi kufitar zyrtarë ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

“Ka qenë rrugë e gjatë, kemi kaluar detin me anije. Gati sa nuk u mbytëm. Mezi arritëm në ishullin Samos në Greqi. Tutje, askush nuk na ka ndihmuar, por kemi udhëtuar prej një kufiri në tjetrin dhe përsëri në kufi. Kam parë se çfarë ka ndodhur dje në kufirin me Hungarinë. Është një përvojë e tmerrshme për vëllezërit e mi sirianë”, tha Ahmeti.

Gjatë natës të së mërkurës, jo larg nga vendkalimi zyrtar i kufirit Serbi - Kroaci, në Tovarnik, kanë arritur disa dhjetëra autobusë, të cilët në mënyrë të organizuar po i sjellin refugjatët, kryesisht nga Lindja e afërt, si dhe rreth 150 automjete taksi, të cilët, siç kanë thënë refugjatët, i kanë sjellë ata me çmim prej 120 euro.

Për Gjermani ishte nisur edhe një pakistanez.

“Ushtria e Pakistanit po lufton kundër talibanëve. Kanë vdekur mjaft talibanë, por ende janë shumë dhe unë dhe familja ime në vazhdimësi kemi pasur probleme nga ta. Por, unë erdha vet deri këtu. Kam kaluar Pakistanin, Iranin, Turqinë, Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe tash po hy në Kroaci. Kam udhëtuar në shumë mënyra: me anije, me biçikletë, kam ecur këmbë, si dhe me taksi”, tha refugjati pakistanez.

Ahmedi fajëson shumë njerëz për gjithë vuajtjet që po kalojnë refugjatët.

“Qeveria jonë. Ata janë diktatorë. Njëjtë edhe ISIS-i. Ata i vrasin të gjithë me radhë, edhe fëmijët, pa asnjë arsye”, përfundoi irakiani.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG