Ndërlidhjet

logo-print

Edhe Kroacia mbyll kufirin me Serbinë


Tovarnik, Kroaci

Tovarnik, Kroaci

Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë deri në “njoftimin e radhës”, për shkak të fluksit masiv të migrantëve dhe refugjatëve, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Kroacia po ashtu kë vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, për t’u marrë me më shumë se 11,000 migrantë që kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, qysh më 16 shtator.

Migrantët ia kanë mësyrë Kroacisë pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë të martën, duke bllokuar kështu njërën nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që sivjet është përdorur nga më shumë se 200,000 migrantë, shumica e tyre nga Lindja e Mesme dhe Afganistani.

Kroacia ka thënë se do të kishte lejuar njerëzit të kalonin lirshëm nëpër territorin e saj, por kryeministri Zoran Millanoviq ka njoftuar se burimet e vendit për të trajtuar fluksin e migrantëve janë “të kufizuara”.

Ndërkohë, Sllovenia ka bërë të ditur se ka ndaluar një tren nga Kroacia me migrantë dhe se do të kthejë në Zagreb rreth 150 pasagjerë, pasi ata nuk kanë pasur dokumentet e nevojshme për të udhëtuar tutje.

XS
SM
MD
LG