Ndërlidhjet

logo-print

Kriza me migrantë: Kroacia mbyll kufirin me Serbinë

  • RFE /RL

Tovarnik, 18 shtator 2015

Tovarnik, 18 shtator 2015

Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë deri në “njoftimin e radhës”, për shkak të fluksit masiv të migrantëve dhe refugjatëve, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Kroacia po ashtu kë vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, për t’u marrë me më shumë se 11,000 migrantë që kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, qysh më 16 shtator.

Migrantët ia kanë mësyrë Kroacisë pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë të martën, duke bllokuar kështu njërën nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që sivjet është përdorur nga më shumë se 200,000 migrantë, shumica e tyre nga Lindja e Mesme dhe Afganistani.

Kroacia ka thënë se do të kishte lejuar njerëzit të kalonin lirshëm nëpër territorin e saj, por kryeministri Zoran Millanoviq ka njoftuar se burimet e vendit për të trajtuar fluksin e migrantëve janë “të kufizuara”.

Ndërkohë, Sllovenia ka bërë të ditur se ka ndaluar një tren nga Kroacia me migrantë dhe se do të kthejë në Zagreb rreth 150 pasagjerë, pasi ata nuk kanë pasur dokumentet e nevojshme për të udhëtuar tutje.

Sllovenia është vendi i radhës tranzit për migrantët që synojnë të arrijnë në Austri dhe Gjermani.

Kryeministri slloven, Miro Cerar, ka thënë se vendi i tij do të respektojë rregullat e zonës Schengen për udhëtim të lirë. Sllovenia do të pranojë kërkesa për azil, por nuk do të krijojë “korridor” për refugjatët për të kaluar përmes territorit të saj në Austri.

Autoritetet kroate kanë transportuar shumë migrantë në qendrat e pritjes përreth kryeqytetit Zagreb, pasi i kanë regjistruar ata.

Ministri i Shëndetësisë, Sinisha Varga, ka thënë se Kroacia pret një fluks prej mbi 20,000 migrantësh gjatë dy javëve të ardhshme.

Bashkimi Evropian, për muaj të tërë, nuk ka arritur të bie dakord për mënyrën e sistemimit të migrantëve, duke bërë që shumë shtete anëtare të marrin hapa të njëanshëm për kontrollimin e kufijve të tyre.

Hungaria ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë, duke ngritur gardh me tela, dhe çdo hyrje të paligjshme në vend e konsideron shkelje penale.

Hungaria ka thënë se do të zgjasë gardhin edhe në kufirin e saj me Rumaninë.

Bullgaria ka filluar vendosjen e trupave në kufirin e saj juglindor me Turqinë, për të ndaluar fluksin e refugjatëve.

Austria po ashtu ka nisur kontrolle selektive të automjeteve që hyjnë nga Hungaria, ndërsa Gjermania kontrollon njerëzit që hyjnë nga kufijtë me Austrinë dhe Republikën Çeke.

Bashkimi Evropian do të mbajë një samit të liderëve më 23 shtator, për të diskutuar krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Parlamenti Evropian ka mbështetur planin për sistemimin e 120,000 refugjatëve në BE, në bazë të kuotave të detyrueshme, por ministrat e Brendshëm të bllokut evropian, deri më tash, nuk kanë rënë dakord.

Gjermania dhe Franca janë në favor të planit, por Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia janë në mesin e disa shteteve anëtare që e kundërshtojnë fuqishëm atë.

Megjithatë, të enjten, kryeministri çek ka thënë se vendi i tij mund të pranojë vullnetarisht rreth 10,000 refugjatë – që do të thotë shumë më shumë se 1,500, për sa është zotuar fillimisht.

Përgatiti: Valona Tela.

XS
SM
MD
LG