Ndërlidhjet

Kriza me migrantë dhe “vrasja” e Schengenit


Një migrant në kufirin Serbi - Kroaci, Tovarnik, 17 shtator 2015
Një migrant në kufirin Serbi - Kroaci, Tovarnik, 17 shtator 2015

Kroacia ka mbyllur shtatë nga tetë pikat kufitare me Serbinë deri në “njoftimin e radhës”, për shkak të fluksit masiv të migrantëve dhe refugjatëve, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Kroacia po ashtu ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, për t’u marrë me më shumë se 11,000 migrantë që kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, qysh më 16 shtator.

Migrantët ia kanë mësyrë Kroacisë pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë të martën, duke bllokuar kështu njërën nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që sivjet është përdorur nga më shumë se 200,000 migrantë, shumica e tyre nga Lindja e Mesme dhe Afganistani.

Kroacia ka thënë se do të kishte lejuar njerëzit të kalonin lirshëm nëpër territorin e saj, por kryeministri Zoran Millanoviq ka njoftuar se burimet e vendit për të trajtuar fluksin e migrantëve janë “të kufizuara”.

Bashkimi Evropian, për muaj të tërë, nuk ka arritur të bie dakord për mënyrën e sistemimit të migrantëve, duke bërë që shumë shtete anëtare të marrin hapa të njëanshëm për kontrollimin e kufijve të tyre.

Hungaria ka mbyllur kufirin e saj me Serbinë, duke ngritur gardh me tela, dhe çdo hyrje të paligjshme në vend e konsideron shkelje penale.

Bullgaria ka filluar vendosjen e trupave në kufirin e saj juglindor me Turqinë, për të ndaluar fluksin e refugjatëve.

Austria po ashtu ka nisur kontrolle selektive të automjeteve që hyjnë nga Hungaria, ndërsa Gjermania kontrollon njerëzit që hyjnë nga kufijtë me Austrinë dhe Republikën Çeke.

Gazeta Economist shkruan se rikthimi i disa kontrolleve kufitare është shenjë paralajmëruese për diçka dramatike: erozionin dhe shfuqizimin e mundshëm të zonës Schengen, njërës prej arritjeve më të mëdha të Bashkimit Evropian.

Për zgjidhjen e krizës, gazeta shkruan se duhen ndërhyrje në të gjitha anët, nga përpjekjet për të arritur armëpushim në Siri deri te ndihma për Turqinë dhe Libanin, që bartin numrin më të madh të refugjatëve.

Parlamenti Evropian ka mbështetur planin për sistemimin e 120,000 refugjatëve në BE, në bazë të kuotave të detyrueshme, por ministrat e Brendshëm të bllokut evropian, deri më tash, nuk kanë rënë dakord.

Gjermania dhe Franca janë në favor të planit, por Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia janë në mesin e disa shteteve anëtare që i kundërshtojnë fuqishëm kuotat e detyrueshme.

Nëse ngecjet rreth planit të BE-së vazhdojnë, perceptimet për një çarje midis vlerave evropiane perëndimore dhe lindore do të rriten, shkruan gazeta Financial Times.

“Pas rënies së komunizmit, vendet e lindjes kanë bërë zhurmë për ‘kthimin në Evropë’, duke thënë se ato ndajnë karakterin humanitar. Kriza me migrantë ka rritur shqetësimet se disa shtete evropiane, sidomos Hungaria dhe Sllovakia, janë më shumë jotolerante dhe ksenofobe sesa vendet e vjetra të BE-së…".

"Kjo krizë mund të përkeqësohet më tej nëse Evropa përçahet edhe më shumë, jo vetëm nga kufijtë, por edhe nga vlerat. Kjo është diçka që të gjithë evropianët – sidomos ata që jetojnë në lindje – duhet ta shmangin me çdo kusht”, shkruan Financial Times.

Bashkimi Evropian do të mbajë një samit të liderëve më 23 shtator, për të diskutuar krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG