Ndërlidhjet

Kardiokirurgjia jofunksionale, synohet të punojë 24 orë


Ilustrim (@Shutterstock)
Ilustrim (@Shutterstock)

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ekziston Reparti i Kardiokirurgjisë. Por, ky repart është jashtë funksionit që nga janari i këtij viti.

Ndonëse ishte funksionalizuar vitin e kaluar, ka qenë vetëm një mjek që ka punuar dhe janë kryer pak operacione në mungesë stafi.

Më 22 prill të këtij viti është formuar Këshilli për funksionalizmin e Kardiokirurgjisë, me ç’rast udhëheqësi i saj, Abdyl Krasniqi, tha se ndonëse nuk dihet koha e saktë e funksionalizimit të saj, një gjë e tillë do të ndodhë këtë vit.

“Shumë shpejt besoj që do të aktivizohet Kardiokirurgjia. Ne kemi një plan që gjatë muajit tetor të fillohet në këtë fushë. Nuk ka arsye që pas tetorit të shtyhet edhe më tej”, tha Krasniqi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se janë duke e bërë analizimin e situatës së përgjithshme në këtë fushë, në mënyrë që të funksionalizohet.

“Sa i përket anës teknike, kjo i plotëson kushtet për t’u funksionalizuar. Stafi i mesëm është i mjaftueshëm, por ka mungesë të kardiokirurgëve dhe kardioanestezologëve. Këshilli, deri në muajin tetor, do të bëjë një propozim për mënyrën e funksionimit të Kardiokirurgjisë dhe shpresojmë se do të ketë kardiokirurgë 24 orë”, ka thënë Sadiku.

Një ekip kardiokirurgësh nga Shqipëria këtë vit ka kryer dy operacione të zemrës në këtë klinikë, falë bashkëpunimit që ka Ministria e Shëndetësisë së Kosovës me atë të Shqipërisë.

Sadiku ka shtuar se do të vazhdohet bashkëpunimi me kardiokirurgë të jashtëm.

“Ende nuk është përcaktuar sa kardiokirurgë nga Kosova do të jenë. Do të bashkëpunojmë edhe me kardiokirurgë italianë, si dhe të tjerë për të kryer operacione në këtë lëmi”, ka shpjeguar ai.

Operacionet në zemër, që gjatë këtij viti nuk kanë mundur të kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët i kanë bërë jashtë institucioneve publike shëndetësore.

E, shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro në vit, ndërkohë që kërkesat nga pacientët janë shumë më të mëdha.

Edhe fëmijë të lindur me anomali në zemër, vazhdojnë të mos operohen në Kosovë. Kjo në mungesë të shërbimit të Kardiokirurgjisë pediatrike. Gjatë një viti, sipas profesionistëve shëndetësorë, rreth 150 fëmijë kërkojnë ndihmë për intervenim në zemër.

XS
SM
MD
LG