Ndërlidhjet

logo-print

Nevoja për ndërtimin e një kampi për migrantët në Maqedoni


Migrantët duke kaluar kufirin nga Greqia në Maqedoni

Migrantët duke kaluar kufirin nga Greqia në Maqedoni

Një ekip i posaçëm nga Bashkimi Evropian, përfshirë dhe ekspertë nga Maqedonia, në fillim të javës së ardhshme do të inspektojë dhe vlerësojë të gjitha kërkesat në aspektin material dhe atë të resurseve njerëzore, për t’u ballafaquar me krizën e refugjatëve. Kështu ka bërë të ditur euro-komisionari Johanes Hahn, pasi ka vizituar edhe personalisht Qendrën për pranimin e migrantëve në Gjevgjeli, përgjatë kufirit Maqedoni-Greqi.

"Bashkimi Evropian është i interesuar t'i ndihmojë sistemit të vendit tuaj që të ballafaqohet me këtë situatë. Pikërisht për këtë shkak, të hënën do të vijë një ekip nga Komisioni Evropian, i cili së bashku me ekspertë nga vendi juaj, do ta bëjnë vlerësimin e vërtetë me qëllim që t'i identifikojnë nevojat, pajisjet, resurset njerëzore dhe ndihmën financiare, që do t'u nevojitet autoriteteve tuaja të ballafaqohen me këtë situatë", është shprehur Hahn në kapin e refugjatëve në Gjevgjeli.

Gjatë vizitës në kamp, Hahn ishte i shoqëruar dhe nga ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, dhe ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Mitko Cavkov.

Hahn gjithashtu, ka theksuar se është koha e fundit që Maqedonia të ndihmohet në zgjidhjen e krizës me migrantët.

"Do t'i ndihmojmë edhe vendit tuaj që t'i dalë në krye kësaj situate. Ashtu siç u informova, brenda ditës në këtë qendër, pranohen rreth 6.000 refugjatë, mesatarisht. Mendoj se kjo është sfidë për vendin tuaj, si dhe për vendet tjera, dhe do të ishte mirë të gjithë të gjejnë zgjidhje për këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, organizatat joqeveritare e kanë përshëndetur ndihmën konkrete, të cilën e ka premtuar euro-komisionari Johanes Hahn.

OJQ-të në Maqedoni kanë shprehur nevojën emergjente për ndërtimin e kampeve për refugjatë, të cilat kampe do të jenë të domosdoshme në rast se Serbia mbyll kufirin për migrantët, ashtu siç veproi Hungaria dhe më pas edhe Kroacia.

“Ndihma e ofruar nga ana e BE-së duhet të orientohet në ndërtimin e kampeve për refugjatët, ndërkohë që çështje më vete mbetet ajo nëse një gjë të këtillë do ta lejojë qeveria e Maqedonisë".

"Ndërtimi i një kampi të tillë nënkupton që për një pjesë të refugjatëve nga Siria dhe vendet e prekura nga lufta, të kujdeset Maqedonia si shtet, jo se refugjatët kanë dëshirë të mbeten këtu, por sepse ata do të jenë të detyruar në rast se mbyllen kufijtë”, ka theksuar Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “LEGIS”, e cila është e inkuadruar me aktivitetet e saj për të ndihmuar migrantët në pikat kufitare Maqedoni-Greqi dhe Maqedoni-Serbi.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Mitko Çavkov, ka theksuar se Maqedonia disponon me kapacitetet e nevojshme për t`iu përgjigjur krizës me refugjatët, të cilët vendin e kalojnë transit.

Megjithëse, Çavkov nuk kishte përgjigje konkrete rreth pyetjes nëse ekziston rrezik që migrantët, të cilët vijnë nga viset e prekura nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrika e Veriut, tëpërqendrohen në Maqedoni nëse vjen deri te mbyllja absolute e kufirit nga ana e vendeve fqinje.

“Gjithsesi se kemi shqetësime, por jam i bindur se nuk ka mënyrë se si të pengohet ky proces. Ne, si Republikë e Maqedonisë, kemi bërë analiza dhe vlerësime në bazë të së cilave miratuam dhe gjendjen e krizës në dy rajone, pjesën jugore dhe atë veriore të shtetit deri më 15 qershor të vitit 2016”, ka deklaruar Çavkov.

XS
SM
MD
LG