Ndërlidhjet

Ukrainë: Tërhiqet ndalesa për disa gazetarë perëndimorë


Petro Poroshenko
Petro Poroshenko

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, mbrëmë e ka nënshkruar një urdhër për tërheqjen e ndalesës së disa gazetarëve britanikë, spanjollë dhe gjermanë.

Në mesin e gazetarëve që përfshihen në këtë urdhër, është korrespondenti i BBC-së, Steve Rosenberg, producentja Emma Wells, të dy shtetas britanikë, dhe reporteri gjerman, Michael Rutz, që shkruan për gazetën, Die Zeit.

Gazetarët spnajollë, Antonio Pampliega dhe Angel Sastre, që prej korrikut janë të zhdukur në Siri dhe mendohet se janë rrëmbyer nga grupi militant, Shteti Islamik, po ashtu, janë hequr nga lista e ndalesës.

Më 16 shtator, zoti Poroshenko e pat nënshkruar një urdhër për ndalesën e hyrjes në Ukrainë të afro 400 njerëzve, përfshirë edhe disa gazetarë të jashtëm, për shkak se ata siç thuhej, paraqitnin kërcënim për sigurinë kombëtare të Ukrainës.

Shumica e gazetarëve në këtë listë ishin rusë, prandaj ajo ishte parë gjërësisht si përgjigjje ndaj raportimit për separatistët prorusë në pjesën lindore të Ukrainës, të cilët qeveria i ka shpallur si terroristë.

BBC-ja e ka vlerësuar këtë masë si “sulm i turpshëm në lirinë e mediave”.

Presidenti Poroshenko e ka siguruar ambasadoren britanike, Judith Gough, në një takim më 17 shtator, se ai do t’i largonte nga lista gazetarët e BBC-së.

XS
SM
MD
LG