Ndërlidhjet

Greqi: Filluan zgjedhjet parlamentare, të tretat këtë vit


Pamje nga votimet e mëparshme në Greqi

Pamje nga votimet e mëparshme në Greqi

Në Greqi sot në mëngjes janë hapur vendvotimet për zgjedhjet parlamentare, që janë zgjedhjet e treta të mbajtura këtë vit.

Hulumtimet e opinionit kanë parashikuar një garë të barabartë ndërmjet partisë konservatore, Demokracia e Re, dhe asaj majtiste, Syriza, që udhëhiqet nga ish-kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Zoti Tsipras tha se grekët do ta zgjedhin një “qeveri luftuese”, që do të shoqërohej me reformë të “periudhës së re”.

Ky lider 41 vjeçar paraqiti dorëheqje në muajin gusht dhe kërkoi zgjedhje të reja, pas 7 muajsh të negociatave të tensionuara me kreditorët ndërkombëtarë lidhur me planin e ndihmave financiare të Bashkimit Evropian për Greqinë.

Lideri i Demokracisë së Re, Vangelis Meimarakis, 61 vjeçar, tha se Greqia “nuk ka më tepër hapësirë për eksperimente”.

Partia Syriza është dobësuar nga mospajtimet e brendshme, pasi 25 ligjvënës u larguan nga kjo parti, kur Tsipras u pajtua për masat e kursimit në këmbim për një pako të ndihmës prej 86 miliardë euro.

Në këto zgjedhje janë të regjistruar më se 9.7 milionë votues.

Raportohet se vendvotimet do të mbyllen në orën 18, ndërsa rezultatet e para zyrtare mund të paraqiten sonte vonë.

XS
SM
MD
LG