Ndërlidhjet

Hungari: Ushtria ta përdorë forcën për ndaljen e migrantëve


Migrantët në fshatin Zakany në Hungari afër kufirit me Kroacinë

Migrantët në fshatin Zakany në Hungari afër kufirit me Kroacinë

Parlamenti i Hungarisë ka lejuar që ushtria e këtij vendi ta përdorë forcën jo-vdekjeprurëse për ta parandaluar kalimin ilegal të kufirit nga ana e migrantëve.

Sipas këtij legjislacioni të ri, të miratuar sot, ushtria do të ketë të drejtë të përdorë plumba gome e gaz lotsjellës për t’i kontrolluar migrantët në kufirin e vet, derisa policia do të ketë të drejtë të hyjë në shtëpitë private për të kërkuar imigrantë ilegalë eventualë.

Më herët këtë muaj, Hungaria e ka mbyllur kufirin e vet me Serbinë, ndërsa sipas legjislacionit të ri, të miratuar para disa ditësh, hyrja ilegale ose dëmtimi i barrierës me tela gjemborë përgjatë kufirit me Serbinë, paraqet vepër penale.

Më se 500 mijë migrantë kanë hyrë këtë vit në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa shumica prej tyre kanë ikur nga luftërat në Siri, Irak dhe Afanistan.

Ky fluks i refugjatëve po ndodhë në periudhën kur ndër 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka ndarje lidhur me qasjen ndaj numrit më të madh të migrantëve dhe azilkërkuesve, prej Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG