Ndërlidhjet

logo-print

Një hap më afër ngritjes së Gjykatës Speciale


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të deklarojë të papranueshme kërkesën e opozitës për të hedhur poshtë vendimin e Kuvendit të Kosovës rreth Amendamentit 24 për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, nuk ekziston më asnjë pengesë ligjore për procesin e formimit të kësaj gjykatë, vlerësojnë ekspertët juridik.

Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se duke u nisur nga fakti që Gjykata Kushtetuese është instanca kryesore në drejtësinë kushtetuese, vendimi i saj nuk lë që një çështje e caktuar të apelohet me mjete tjera juridike.

“Është vendim përfundimtar dhe lidhur me këtë çështje çdo gjë është e përfunduar. Procesi i konsolidimit, gjegjësisht, formimit të gjykatës duhet të vazhdojë. Edhe pa këtë (vendimin e Gjykatës Kushtetuese), ligji ka hyrë në fuqi, e ka nënshkruar presidentja”.

“Përgatitjet tash janë në dorën e përfaqësuesve institucional të shtetit të Kosovës dhe shteteve, të cilat duhet të jenë pjesë e këtij projekti - në këtë rast, Holanda, parlamenti holandez -si dhe shtetet e tjera, të cilat nuk janë bërë krejtësisht transparente se ku do të jenë institucionet, që janë të shumta, të kësaj gjykate”.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se procesi për themelimin e Gjykatës Speciale ka arritur në pikën përfundimtare.

Por, megjithatë, sipas tij, mbetet edhe një hap i fundit për ta bërë në mënyrë që kjo gjykatë të kalohet në tërësi në duart e Bashkimit Evropian.

Siç thotë ai, ky hap nënkupton negocimin dhe arritjen e një marrëveshje me një vend të tretë, në të cilin do të vendoset dhe do të operojë në pjesën me të madhe kjo gjykatë dhe supozimet më reale janë se ky vend do të jetë Holanda.

“Kështu që, përpara se të mbyllet marrëveshja ndërkombëtare me Mbretërinë e Holandës për detajet e vendosjes së kësaj gjykate atje, në fakt ende ka punë për kosovarët dhe për qeverinë tonë, sepse duhet negociuar një marrëveshje e tillë”.

“Gjithashtu duhet vendosur termat e operimit praktik të gjykatës, por edhe më vonë, të vuajtjes së dënimit dhe të mbrojtjes së dëshmitarëve, që janë pjesë e juridiksionit të Gjykatës Speciale”.

Megjithatë, Baraliu thotë se Kosova tashmë ka përmbushur obligimet e saj për miratimin e instrumenteve ligjore dhe kushtetuese për formimin e Gjykatës speciale.

Por, sipas tij, në ndërkohë është dashur që edhe bashkësia ndërkombëtare të përshpejtojë procesin e formimit të kësaj gjykate.

“Është në dorën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo e financon dhe e dirigjon këtë proces. Ajo nuk ka bërë pothuajse asnjë veprim ose të paktë, publikisht nuk është bërë e ditur se cilat janë hapat e mëtutjeshëm të formimit sa më parë të kësaj gjykate dhe të fillimit të punës së saj.”

“Ajo që pritet, sipas disa zërave, është që diku në janar të vitit të ardhshëm të funksionalizohet dhe thjeshtë, të dalë në pah drejtësia, nëse eventualisht të gjitha ato pandehma të supozuara kanë qenë të vërteta ose jo”.

Por, Korenica thekson se deri në funksionalizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, kanë mbetur edhe disa hapa të tjerë.

“Prej anës së Bashkimit Evropian, përveç negocimit me Holandën për sa i përket termave teknik, unë mendoj që çështje ende e pazgjidhur është sigurimi i financimit afatgjatë të ekzistencës së gjykatës”.

“Pra, ju e dini që gjykata do ta ketë një mandat fillestar 5 vjeçar. Gjithashtu, mbetet edhe negocimi i termave që lidhen me kërkesën për shkëmbim informacionesh dhe ekstradime eventuale ndërmjet shteteve të tjera dhe vet Gjykatës Speciale. Do të thotë, një gjë e tillë nuk është ende e përfunduar as nga ana e vet Bashkimit Evropian”.

Korenica ka theksuar se ende nuk ka nisur asnjë procedurë për rekrutimin e stafit civil të Gjykatës Speciale e as i gjyqtarëve që do të vendosen në panelet gjykuese.

Një gjë e tillë, siç theksoi ai, është proces që konsumon mjaft kohë dhe në qoftë se procesi ecë me dinamikën e deritashme, sipas tij, fillimi i operimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, vështirë se do të mund të bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG