Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria: Opozita e bën të pamundur raportimin


Foto ilustruese.

Foto ilustruese.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar edhe një komunikat tjetër rreth zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftim thuhet se “përkundër vullnetit të Kryeministrit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të raportojnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, sot, deputetët e opozitës, në kundërshtim me mandatin e tyre, Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, me sjelljen e tyre, e bënë të pamundur raportimin.”

“Qeveria, edhe një herë, dënon aktet e dhunës dhe veprimet e sotme të deputetëve të opozitës” duke shtuar se “kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë që kurdo që Kuvendi të arrijë të krijojë kushte të punës, të raportojnë për marrëveshjet e arritura” –thuhet në reagim .

"Qeveria e Republikës së Kosovës garanton se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen e plotë të vendeve mike, të BE-së dhe të SHBA-ve në këtë proces, si dhe, bashkë me këta partnerë, vlerëson se ato do t’u hapin rrugë integrimeve sa më të shpejta euroatlantike të vendit.” përfundon komunikata për media e lëshuar nga qeveria e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë sot punimet në një seancë në të cilën kryeministri Isa Mustafa ishte paraparë të raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Deputetë nga opozita hodhën vezë në drejtim të kryeministrit, duke kërkuar nga ai që të heqë nënshkrimin nga marrëveshja e arritur për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG