Ndërlidhjet

Kinë: U vranë pesë policë


Pamje e ujgurëve para një xhamie në Urumqi të Ksinjanit në Kinë
Pamje e ujgurëve para një xhamie në Urumqi të Ksinjanit në Kinë

Së paku pesë policë janë therrur për vdekje nga separatistët e dyshuar, gjatë sulmit në një minierë të thëngjillit në rajonin perëndimor kinez, Ksinjan.

Radio Azia e Lirë ka raportuar sot se sulmi kishte ndodhur në minierën Sogan më 18 shtator, sipas raportit të policisë.

Raportohet se dhjetëra të tjera janë lënduar.

Qeveria lokale kumtoi se sulmi ishte “i përgatitur mirë, i shkallës së gjërë, nga separatistët kundër oficerëve të policisë dhe pronarëve të minierës”.

Në muajin qershor, Radio Azia e Lirë kishte raportuar se së paku 18 vetë ishin vrarë, kur ujgurët etnikë e sulmuan policinë në një pikë të kontrollit të trafikut në qytetin Kashgar.

Tensionet ndërmjet myslimanëve ujgurë vendës dhe kinezëve Han, që jetojnë në Ksinjan, për pasoja kanë pasur dhunë gjatë viteve të fundit, nga e cila janë vrarë qindra njerëz.

Për këtë gjakderdhje, zyrtarët kinezë i kanë fajësuar militantët islamikë.

Ujgurët në ekzil dhe aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se politikat represive kineze në Ksinjan, ku përfshihen edhe kontollet strikte të Islamit dhe kulturës ujgure, e kanë nxitur këtë kryengritje.

XS
SM
MD
LG