Ndërlidhjet

Tusk: Bashkohuni në zgjidhjen e krizës me migrantë


Donald Tusk
Donald Tusk

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka bërë thirrje udhëheqësve të vendeve të BE-së që të bashkohen për të zgjidhur krizën me migrantë.

Në një letër drejtuar të gjithë kryetarëve dhe kryeministrave të BE-së, Tusk ka shkruar se “ka një listë të gjatë çështjesh, për të cilat mund të fajësojmë njëri-tjetrin, por nuk do të na ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”.

Komentet e tij vijnë para një takimi urgjent të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, të cilët pritet t’i japin miratimin përfundimtar plamit për sistemimin e 120,000 migrantëve – që aktualisht ndodhen në Greqi dhe Itali – në vende të tjera të BE-së.

Plani parasheh kuota të detyrueshme për 22 vende anëtare të bllokut.

Liderët në samit pritet të shqyrtojnë po ashtu mënyrat për përmirësimin e sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe të sigurojnë se migrantët, që u refuzohen kërkesat për azil, kthehen në vendet e tyre sa më shpejt.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, dhe presidenti i Francës, Franocis Hollande, kanë biseduar të mërkurën dhe kanë thënë se gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri do të ishte çelësi i zgjidhjes së krizës me migrantë.

Mbretëria e Bashkuar nuk merr pjesë në skemën e sistemimit të migrantëve, por ka planin e saj për tërheqjen e tyre direkt nga kampet e refugjatëve në Siri.

Shkalla e problemit është vënë në dukje sërish sot, kur Kroacia ka bërë të ditur se 44,000 migrantë, përfshirë 8,750 vetëm të martën, kanë arritur në tokën e saj prejse Hungaria ka përfunduar gardhin me tela në kufi me Serbinë, javën e kaluar.

Vendet lindore të BE-së, si: Hungaria, Republiak Çeke dhe Sllovakia, janë kundër kuotave të detyrueshme. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka qenë sot shumë i vendosur me deklaratat e tij.

“Për aq kohë sa unë jam kryeministër, kuotat e detyrueshme nuk do të zbatohen në territorin sllovak”, ka thënë Fico, për të shtuar se vendi i tij mund të ndajë 20 milionë euro për Agjencinë Evropiane të Kufijve – Frontex dhe për operacione që çojnë në sigurimin e kufijve të jashtëm të zonës Schengen.

Megjithatë, kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, ka thënë sot se Evropa “nuk duhet të ndahet për shkak të krizës me migrantë”.

Rumania ka thënë mund të menaxhojë sistemimin e refugjatëve, por presidenti Klaus Iohannis ka këmbëngulur se kuotat e detyrueshme nuk janë zgjidhje.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se vetëm sisitemimi nuk do të jetë i mjaftueshëm për të stabilizuar situatën.

Afro 480,000 migrantë kanë arritur në Evropë këtë vit. Shifrat e fundit thonë se çdo ditë, në brigjet e Evropës, arrijnë mesatarisht 6,000 njerëz, që ikin kryesisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afganistan.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG