Ndërlidhjet

Dialogu qeveri - opozitë, e vetmja zgjidhje


Momenti kur opozita filloi ta gjuante kryeministrin Isa Mustafa me vezë.
Momenti kur opozita filloi ta gjuante kryeministrin Isa Mustafa me vezë.

Mungesa e komunikimit dhe lënia e opozitës jashtë procesit të dialogut me Serbinë ka sjellë deri te situata e rënduar politike në Kosovë, ku institucionet po rrezikojnë të bllokohen në vendimmarrje.

Kështu vlerësojnë analistët politik në Prishtinë, sipas të cilëve, në rrethanat e krijuara është shumë vështirë të parashikohet një zgjidhje e lehtë dhe pa tensione.

Profesori i shkencave politike, Arben Qirezi thotë se në Kosovë që nga viti 2001 e këndej ishte krijuar një traditë e vendimeve me konsensus të brendshëm politik në lidhje me marrëveshjet për çështjet e cilësuara si madhore.

Një çështje e tillë e interesit madhor, është konsideruar i gjithë procesi i dialogut me Serbinë, ku hyn edhe marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Por në këtë proces, kjo qeveri nuk arriti që ta përfshijë me ndonjë rol opozitën aktuale, thotë Qirezi.

"Këto bisedime është dashur të mbështeten në një lloj konsensusi politik të partive shqiptare në Parlamentin e Kosovës. Ka qenë i domosdoshëm një dialog i brendshëm i cili do të rezultonte në një pozicion të përbashkët të partive politike parlamentare në mënyrë që të mos evoluojë situata në tensione të cilat i pamë dje në Kuvendin e Kosovës", ka thënë Qirezi.

Ndërkaq, publicisti Blerim Burjani vlerëson se mungesa e komunikimit, politikat përjashtuese, por edhe lufta e pa kompromis për pushtet e të dyja poleve politike, pozitës dhe opozitës, po e dëmton shumë interesin e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

"Këto subjekte politike në Kosovë i kanë tejkaluar kufijtë e mundshëm të besimit të qytetarëve. Njëra palë, apo koalicioni qeverisës, që punon vazhdimisht për interesa partiake, klanore, familjare e grupore, duke dërguar njerëz të vet nëpër ambasada, borde e gjithkund dhe pjesa tjetër, opozita, e cila nuk ka kapacitete e as fuqi për të ndikuar në zhvillimet brenda vendit. Kjo opozitë nuk e ka për qëllim bashkëpunimin me pozitën, por e ka si qëllim ta rrëzoj këtë koalicion", ka theksuar Burjani.

Bllokimi i punës së institucioneve ishte proklamuar nga opozita si një prej mjeteve që do të ndërmarrin nëse në dialogun me Beogradin qeveria vendos të themeloj Asociacionin e Komunave Serbe.

Arben Qirezi thotë se në rrethanat aktuale politike është vështirë të parashikohet një zgjidhje, sidomos nëse mungon dialogu politik ndërmjet pozitës dhe opozitës.

"Për të parandaluar tensionimet e skajshme, po flas për tensionime të skajshme të situatës politike në vend, nevojiten përpjekje të mëdha dhe mendoj se këtu shumica duhet të merr këtë përgjegjësi dhe të bëj përpjekje të vendos dialogun me partitë opozitare. Në fund të fundit të arrihet deri te një zgjidhje e cila do të parandalonte tensionimin e skajshëm të gjendjes", ka thënë Qirezi.

Në anën tjetër, Blerim Burjani mendon se dialogu ndërmjet pozitës dhe opozitës, si mjet i pashmangshëm për tejkalimin e gjendjes, do të kishte sukses nëse në të përfshihet edhe faktori i jashtëm, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të caktuara të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, ai mendon se qeveria duhet t'i bëjë një ofertë opozitës që të marrë një rol të caktuar në procesin e zbatimit të marrëveshjeve me Beogradin.

"T'i ofrohet opozitës që të jetë pjesë integrale e një grupi punues i cili do të themelohej nga qeveria dhe i cili do të përfshinte edhe shoqërinë civile, botën akademike, do të thotë njerëz ekspert ligjor-kushtetues të cilët do të jenë në zbatim ët kësaj marrëveshje dhe e dyta, opozitës t'i ofrohet mundësia e transparencës në Gjykatën Kushtetuese", ka deklaruar Burjani.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, kryeministri Isa Mustafa është vënë në shënjestër të sulmeve të opozitës.

Nga kryeministri, opozita po kërkon tërheqjen e nënshkrimeve nga këto marrëveshje, si kusht që të zhbllokohet dhe lejohet puna në Kuvendin e Kosovës.

Një kërkesë e tillë është hedhur poshtë nga kryeministri dhe kabineti qeveritar, kështu që drama rreth zhbllokimit të punës së Kuvendit dhe institucioneve tjera pritet të vazhdoj javën tjetër kur do të shihen hapat që mund të ndërmarrin të dyja palët.

XS
SM
MD
LG