Ndërlidhjet

Përderisa Lista Serbe në vazhdimësi ka theksuar se i ka unifikuar serbët e gjithë Kosovës, tashmë plasaritjet në këtë subjekt janë të dukshme, ndërmjet atyre që i përfaqësojnë serbët në Kuvendin e Kosovës dhe atyre që janë në ekzekutivin e vendit dhe në krye të komunave me shumicë serbe.

Disa pjesëtarë të Listës Serbe kanë dërguar gjatë kësaj jave një shpallje përmes së cilës kërkohet dorëheqja e parevokueshme të Aleksandar Jabllanoviqit, nga të gjitha funksionet në kuadër të Iniciativës Qytetare “Lista Serbe”.

Këtë shpallje e kanë dërguar tre përfaqësues të serbëve në Qeverinë e Kosovë, ndër të cilët është edhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, si dhe përfaqësuesit serbë nga niveli lokal, gjegjësisht, nëntë kryetarët e komunave me shumicë serbe, të cilët janë pjesë e Iniciativës Qytetare "serbe“, të formuar për zgjedhjet lokale të kaluara në Kosovë.

Kjo ka qenë arsyeja që Aleksandar Jabllanoviq, ministër i larguar nga Qeveria e Kosovës, t’iu drejtohet medieve në Çagllavicë, me mbështetjen e 6 deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës.

Jabllanoviq e ka vlerësuar këtë shpallje si "cirk politik“, i cili ka për qëllim që përmes medieve të sulmohet dhe të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Listës Serbe.

Ai ka theksuar se si kryetar, do të vazhdojë ta udhëheqë edhe më tutje Listën Serbe dhe se e gjithë kjo ka të bëjë me çështjet kuadrosh brenda kësaj liste.

"Disa individëve po ju pengon fakti që unë jam kryetar i Listës Serbe dhe që nuk po i lejojë që ata të bëjnë çfarë të duan“, theksoi Jabllanoviq, duke shtuar se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqje.

Në shpallje, Jabllanoviqi kritikohet se si i ka zhvilluar bisedimet për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës rreth formimit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Jabllanoviqit, kritikat e tilla nuk qëndrojnë, sepse sipas tij, bisedimet janë zhvilluar publikisht dhe në mënyrë transparente, ndërkohë që marrëveshja për koalicion, siç thotë ai, ka pasur pëlqimin edhe nga Qeveria e Serbisë.

"Unë mendoj se kemi të bëjmë me një të vërtetë tjetër. Në bazë të asaj marrëveshjeje, ne kemi marrë vende të caktuara në Qeverinë e Kosovës dhe njerëzit nga ana jonë, nga Lista Serbe, të cilët janë deleguar në ato pozita, nuk kanë mundur që ta arsyetojnë punën e tyre dhe nuk kanë pasur sukses të sjellin rezultate, të cilat i kemi pritur nga ta".

"Tash, ata dëshirojnë që atë përgjegjësi të ma ngarkojnë mua, duke u thirrur në atë që marrëveshja e koalicionit, të cilën e kam nënshkruar unë, është e keqe“, tha Jabllanoviq, duke shtuar se marrëveshja është e mirë dhe se për të është njoftuar edhe Qeveria e Serbisë, si dhe që lidhur me marrëveshjen nuk do të ndryshohet asgjë.

Jabllanoviq, gjithashtu, përmes shpalljes është akuzuar se i ka harxhuar në mënyrë jotransparente edhe mjetet financiare, të cilat kanë është dashur të dedikohen për luftën politike të popullit serb.

Jabllanoviq ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se tashmë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të bëjë auditimin e financave të Listës Serbe.

"Shumë shpejt do të bien të gjitha maskat dhe mund t’ju them se e gjithë kjo nuk do të ndikojë në unitetin e Listës Serbe. Kjo nuk ka të bëjë me këtë. Kjo është dëshira e disa individëve që të arrijnë te një numër sa më i madh i funksioneve dhe që ne vendet e tyre të bëhen diktator të vegjël, të cilët askush për asgjë nuk mund t’i pyes dhe të cilët askujt nuk do t’i jepnin llogari".

"Unë jam një nga pengesat në këtë rrugë dhe do të mbetem i tillë. Unë nuk do ta japë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Listës Serbe“, ka theksuar Jabllanoviq.

Në anën tjetër, ata që e kanë nënshkruar shpalljen, përmes të cilës kanë kërkuar dorëheqjen e Jabllanoviqit, nuk janë lajmëruar për të dhënë komentin e tyre.

Ndërkaq, Rangjel Nojkiq, njohës i zhvillimeve politike, thotë se Lista Serbe edhe më parë pati dhënë shenja se nuk është e unifikuar krejtësisht.

Ndërkaq që zhvillimet e fundit brenda kësaj liste, sipas tij, po tregojnë që mospërputhjet në qëndrime dhe mospajtimet e mëparshme janë fshehur në mënyrë të shkathtë.

“Fundja, kjo po shpërfaqet tash dhe po shihet se ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha. Por, mendoj se këtu, para së gjithash, nuk është në pyetje vetëm Jabllanoviqi, por Aleksandar Vulin, duke pasur parasysh që Vulin është mentor i Jabllanoviqit dhe se ai e ka grupin e tij të deputetëve. Mendoj se këtu ka ardhur deri te përplasja e dy krahëve të Listës Serbe”, tha Nojkiq.

Ai shton se, tashmë i mbetet Beogradit zyrtar që të veprojë dhe që Lista Serbe të paraqitet sipas instruksioneve të Beogradit, ndonëse ky i fundit po përpiqet që të qëndrojë anash.

"Beogradi do të dërgojë porosi të caktuara dhe mendoj se megjithatë do të arrihet deri te një përafrim, në mënyrë që të zgjidhet edhe problemi i Bashkësisë së komunave serbe“, tha Nojkiq.

Jabllanoviq ka thënë se grupi parlamentar i Listës Serbe punon në koordinim me Qeverinë e Kosovës dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe se prioritetet e kësaj liste janë zbatimi i marrëveshjeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG