Ndërlidhjet

Prokurorët ndërmjet mbrojtjes dhe privilegjeve


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Për shkak të kërcënimeve dhe punës me rrezikshmëri të lartë që bëjnë disa prokurorë, mbrojtja e afërt është mëse e nevojshme, thonë zyrtarët në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Reshat Millaku, ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se janë rreth pesë prokurorë të cilët aktualisht kanë afër vetës policë të njësisë së mbrojtjes së afërt.

“Të gjithë prokurorët nuk kanë nevojë, por është njësia në kuadër të Policisë së Kosovës që e bën vlerësimin e rrezikshmërisë për një numër të prokurorëve që janë edhe në përcjellje. Nuk e di saktë sa prokurorë kanë pasur kërcënime, por katër apo pesë kanë mbrojtje të afërt”, tha Millaku.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsideron se çfarëdo mbështetje apo përkrahje që mund t’ju jepet prokurorëve në luftimin e dukurive negative është e mirëseardhur.

Por, sipas tij deri me tash nuk vërehet ndonjë rezultat në punën e tyre karshi privilegjeve që kanë.

“Ne kemi një Prokurori Speciale të Republikës së Kosovës e cila ka kushte shumë me të mira dhe për dallim nga prokuroritë e tjera nuk ka bërë asnjë hap më të madh se sa është dashur të bëjë karshi investimeve që janë bërë në këtë prokurori”.

"Sot, prokurorët special i ke të privilegjuar me kushte shumë më të mira të punës. Kanë ekspertë rreth vetes, kanë siguri më të mirë. po ashtu kanë edhe të ardhura shumë të mira, por rezultatet e punës së tyre janë këto që i shohim. Nuk ka luftim të korrupsionit të nivelit të lartë e krimit të organizuar”, ka deklaruar Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Musliu thekson se prokurorët, por edhe gjyqtarët në Kosovë deri më tash nuk kanë shqyrtuar ndonjë lëndë që si e tillë do të mund të vinte në rrezik jetën e tyre.

“Kemi raste pothuajse minimale për të mos thënë fare kur prokurorët apo gjykatësit kërcënohen dhe janë të rrezikuar nga palët të cilat mund të jenë të përfshira në krime”.

“Ajo që e kemi parë është që nuk ka ndonjë kërcënim nga i cili kanosur këta prokuro edhe gjykatës. Arsyeja është shumë e thjesht nuk janë duke u kanosur sepse nuk janë duke e bërë ndjekjen e atyre që janë duke u marr me krime”, tha Musliu.

Nga ana tjetër, zyrtarët në Policinë e Kosovës, nuk kanë mundur të japin informacion rreth asaj se sa është numri i prokurorëve të cilët janë kërcënuar për shkak të punës që bëjnë.

Ata thanë se edhe prokurorët janë të përfshirë në kuadër të listës së personave zyrtarë të cilët ndihen apo janë të kërcënuar.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në përgjithësi është kritikuar si një sistem i korruptuar dhe se qytetarët nuk kanë besimin e duhur në ketë sistem për shkak të kryerjes së veprave të ndryshme penale nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët shpesh është vlerësuar se nuk kanë qenë profesional, të paanshëm dhe të pavarur në marrjen e vendimeve dhe kryerjen e detyrave të tyre.

XS
SM
MD
LG