Ndërlidhjet

BE: Një miliard euro për zbutjen e krizës së migrantëve

  • RFE /RL

Refugjatë në Evropë

Refugjatë në Evropë

Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për dërgimin e një miliard eurosh për t’i mbështetur sirianët në kampet e refugjatëve në Turqi, Jordani dhe Liban, që është përpjekja më e re e BE-së për zbutjen e krizës më të madhe të imigrimit në disa dekada të fundit.

Në këtë kuadër, presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha:

“Liderët janë pajtuar për ndihmë të shtuar për Libanin, Jordaninë dhe Turqinë, dhe vendet e tjera në rajon. Më tepër ndihmë do të ofrohet në këmbim për bashkëpunim të shtuar. Së paku një miliard euro shtesë do të jepet për t’i ndihmuar refugjatët nëpërmjet UNHCR dhe Programit Botëror të Ushqimit”, tha Donald Tusk.

Në samitin që përfundoi sot herët në mëngjes në Bruksel, liderët, po ashtu, janë pajtuar të krijojnë të ashtuquajturat qendra të “nxehta” në shtetet e linjës së parë, siç janë Greqia dhe Italia, deri në fund të muajit nëntor, ku ekspertët e BE-së do t’i identifikonin dhe regjistronin shpejtë njerëzit që kanë të drejtë për azil, ka thënë zoti Tusk, pas takimit 7 orësh të liderëve të vendeve anëtare të BE-së, që e ka kryesuar ai.

Sipas tij, këto qendra do të ndihmonin për filtrimin e shpejtë të njerëzve që imigrojnë për shkaqe ekonomike dhe të cilët nuk kanë gjasë për tu kualifikuar për azil, i cili mund tu jepet vetëm njerëzve të zhvendosur nga lufta dhe persekutimi.

“Këto masa për të cilat u pajtuam sot nuk do ta zgjidhin krizën, por të gjitha ato janë hapa të domosdoshëm në drejtim të duhur”, tha zoti Tusk.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pas takimit të liderëve, u tha gazetarëve se kësaj radhe shefat e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së ishin unikë, pasi kishte pasur mospajtime të ashpra në mbledhjen e ministrave të brendshëm dhe të atyre të drejtësisë për shpërndarjen e 120 mijë refugjatëve në vendet anëtare.

“Takimi është mbajtur në një atmosferë më të mirë se pritej. Duke ardhur këtu, pata lexuar se kjo do të jetë seancë e pasur me tensione. Nuk ishte. Ishte e mbështetur në konsensus dhe secili ka bërë përpjekje, që na kanë mundësuar të arrijmë konkluzione”, tha Jean-Claude Juncker.

Sipas masave më të reja, Bashkimi Evropian do të dërgoj më tepër personel për patrullim në kufijtë e vet, derisa do ta rritë mbështetjen për Turqinë dhe vendet e tjera në kufi me Sirinë, për të ndihmuar që të merren me miliona njerëz, që gjenden në kampet e refugjatëve në kufijtë e atjeshëm.

Në këtë kuadër sot në Parlamentin e Gjermanisë, ka folur edhe kancelarja, Angela Merkel.

“Ajo që na duhet është riatdhesimi efektiv i atyre njerëzve që nuk kanë të drejtë për mbrojtje në Bashkimin Evropian. Strategjia jonë duhet të përfshijë, po ashtu, mbështetje për vendet e rëndësishme të origjinës dhe transitit, vendosjen dhe mbështetjen për refugjatët, kontrollin e krimit të trafikimit të njerëzve dhe luftën kundër shkaqeve, që i detyrojnë njerëzit të largohen. Kjo mund të ndodhë vetëm me mbështetjen e partnerëve tanë transatlantikë, Shtetet e Bashkuara, dhe po ashtu Rusië, dhe vendeve të Lindjes së Mesme”, tha Angela Merkel.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, tha se vendi i tij do të dërgojë 152 milionë dollarë, përfshirë 61 milionë për Programin Botëror për Ushqim, ndihmë për refugjatët në kampet afër konflikteve nga të cilat ata ikin.

Ai ka kërkuar që pos ndihmës,”të ndalen njerëzit në kampe, që dëshirojnë të bëjnë udhëtime të vështira dhe shumë të rrezikshme për në Evropë”.

Shumica prej afro 500 mijë njerëzve që kanë arritur në Evropë këtë vit, kanë ndërmarrë udhëtime tejet të rrezikshme me barka të vogla gome dhe anije të pasigurta, për të kaluar nga Turqia në Greqi, ose nga Libia në Itali, duke synuar jetë më të mirë në Evropë.

Të tjerët i fillojnë udhëtimet e rënda këmbë nëpër Greqi dhe në vendet e Ballkanit, në përpjekje për të kaluar në Bashkimin Evropian.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG