Ndërlidhjet

logo-print

Turqia "shpërblen" mësimdhënësit e komunitetit turk në Kosovë


Ilustrim©Shutterstock

Ilustrim©Shutterstock

Mësimdhënësit e komunitetit turk, të cilët punojnë në sistemin arsimor të Kosovës, përveç pagës që marrin nga buxheti i Kosovës, ata për çdo vit gëzojnë edhe një shumë materiale nga shteti i Turqisë.

Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë, mësimdhënës të komunitetit turk dhe drejtori i shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë.

Sipas tyre, në Ambasadën Turke në Prishtinë, për çdo vit ata vetë i mbushin disa formularë, përmes të cilëve u mundësohet shuma prej 1,200 eurosh në vit, më saktësisht nga 100 euro në muaj.

Një nga 12 arsimtarët në shkollën “Elena Gjika”, të cilët i marrin këto mjete financiare, është arsimtarja e lëndës se matematikës, Ajfer Xhemaili.

“Nga shteti i Turqisë marrim nga 100 euro në muaj, si motivim për arsimimin turk. Paratë në Ambasadën Turke në Prishtinë i marrim. Duhet t’i plotësojmë listat se jemi mësimdhënës në gjuhën turke dhe jemi nga pakica turke”, bën të ditur Xhemaili.

Drejtori i shkollës fillore “Elena Gjika”, Osman Vitia, e konfirmon një gjë të tillë, i cili thotë se kjo praktikë ka filluar së zbatuari në vitet e para të pasluftës.

Ai thotë se për çdo vit Ambasada e Turqisë në Prishtinë kërkon listat, diplomat dhe fotografitë e mësimdhënësve. Por, për një kërkesë të tillë, drejtori nuk ka ndonjë dokument zyrtar.

Megjithatë, Vitia konsideron se kjo dukuri është diskriminuese, meqë sipas tij, kjo është në kundërshtim më ligjet në Kosovë.

“Unë mendoj se shteti turk nuk ka nevojë t’u japë rrogë, sepse ata marrin nga buxheti i Kosovës. Pse t’u jepen 1,200 euro në vit, pasi i kanë të gjitha të drejtat dhe mos të them se janë edhe më të privilegjuar. Pse të ketë diskriminim kur jetojmë, punojmë bashkë dhe marrim rrogë nga buxheti i Kosovës?"

"Po ia bëjnë si shteti i Serbisë që paguan arsimtarët në pjesën veriore të Kosovës. Unë këtë e shoh si një lloji rreziku, sepse të gjithë punëtorët që punojnë në sistemin e arsimit të Republikës se Kosovës, gëzojnë të drejtat dhe pagat nga buxheti i Kosovës. Prandaj, kjo është një ndërhyrje e shtetit”, tha Vitia.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me ambasadën e Turqisë në Prishtinë më 15 shtator, por nuk ka marrë përgjigje për numrin e mësimdhënësve që janë në listën e kompensimit financiar dhe bazën ligjore që shfrytëzohet për një gjë të këtillë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka informacione për këtë lloj kompensimi financiar.

“Ne si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mësimdhënësit [për komunitetin turk], të cilët janë në sistemin e arsimit në Prizren, Prishtinë, Mamushë, në vendet ku janë të angazhuar, kemi informacione se ata paguhen vetëm nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Ndërsa, ne nuk posedojmë ndonjë informatë tjetër se ata paguhen nga ndonjë buxhet tjetër. Nëse ndodh kjo, që ju e thoni, atëherë është anti-ligjore”, thotë për Radion Evropa e Lië, Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Ekspertë për çështje të arsimit nuk kanë informacion për formën e cila shfrytëzohet për këtë formë të kompensimit.

Dukagjin Pupovci, udhëheqës i Qendrës për Arsim, thotë se komuniteti turk është mirë i integruar në Kosovë.

“Nëse vazhdohet një praktikë e tillë dhe kjo praktikë shihet me mirëkuptim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk e di se si do t’i thuhet nesër Qeverisë së Serbisë që mos të bëjë të njëjtën gjë më mësimdhënësit e komunitetit serb”, thotë Pupovci.

Ai madje pohon se shpërblimet e përzgjedhura mund të krijojnë një klimë të pafavorshme në sistemin e arsimit.

“Ky është një shtet ku arsimi duhet të jetë i unifikuar, në kuptimin që të gjithëve t’u ofrohen kushtet e njëjta dhe besoj se shpërblimet e kësaj natyre fusin një klimë jo të shëndoshë në sistemin e arsimit. Prandaj, mendoj se një shtet mik si Turqia do të mund të rishikonte një politikë të tillë”, thotë Pupovci.

Ndryshe, paga bazë për arsimin fillor është 405 euro, kurse për arsimin e mesëm është 442 euro.

Në bazë të regjistrimit të fundit në vitin 2011, në Kosovë jetojnë rreth 19 mijë pjesëtarë të komunitetit turk.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG