Ndërlidhjet

logo-print

Kroaci: Kufiri me Serbinë hapet së shpejti


Kolona e kamionëve që presin në pjesën serbe, për të kaluar në Kroaci

Kolona e kamionëve që presin në pjesën serbe, për të kaluar në Kroaci

Kryeministri i Kroacisë, Zoran Millanoviq, thotë se kufizimet kufitare me Serbinë do të tërhiqen gjatë 24 orëve të ardhshme dhe se po mban “bisedime intensive me kolegët e tij”.

Ai sot paralajmëroi se kufiri do të hapet “sot ose nesër”.

Këto komente u bënë derisa një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se “ne po kërkojmë urgjentisht qartësime nga autoritetet e Kroacisë” për vendimin e 24 shtatorit, që të bllokohen kamionët nga Serbia, në përpjekje për t’i bërë presion Beogradit për ridrejtimin e migrantëve prapa në Hungari.

Kjo lëvizje e Kroacisë ishte bërë disa ditë, pasi Serbia e kishte ndaluar hyrjen e kamionëve nga Kroacia.

Përfaqësuesja e lëartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, sot ka biseduar me kryeministrat e Serbisë dhe Kroacisë dhe ka kërkuar nga ata që ta zgjidhin këtë çështje.

Kriza ka filluar kur Hungaria e mbylli kufirin me Serbinë, duke i lënë dhjetëra mijëra migrantë të bllokuar në Serbi.

Pastaj, ata filluan të lëvizin nëpër Kroaci dhe Slloveni, në rrugën e tyre për në shtetet më të pasura në pjesën veriperëndimore të Evropës.

Kroacia pat thënë se nuk mund ta përballoj fluksin e migrantëve dhe e mbylli kufirin e saj me Serbinë.

XS
SM
MD
LG