Ndërlidhjet

logo-print

Fatkeqësia në Haxh “përtej kontrollit njerëzor”

  • RFE /RL

Mekë...

Mekë...

Kleriku më i lartë i Arabisë Saudite, Myftiu i Madh, ka thënë se rrëmuja e së enjtes, që ka vrarë mbi 700 persona në pelegrinazhin mysliman në Mekë, ka qenë përtej kontrollit njerëzor.

Ai i ka thënë ministrit të Brendshëm saudit, princit Mohammed bin Nayef, se ai nuk duhet të fajësohet për tragjedinë.

Irani dhe disa vende të tjera kanë kritikuar autoritetet saudite për mënyrën se si i trajtojnë çështjet e sigurisë.

Ka qenë ky incidenti më vdekjeprurës që ka ndodhur gjatë ceremonisë së Haxhit në 25 vjet.

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ka urdhëruar hetime dhe rishikim të sigurisë.

Myftiu i Madh, sheiku Abdul Aziz bin-Abdullah al-Sheikh është vizituar nga ministri i Brendshëm, i cili është edhe udhëheqës i Komitetit Suprem të Haxhit.

“Ju nuk jeni përgjegjës për atë që ka ndodhur. Për gjërat që njerëzit nuk mund t’i kontrollojnë, nuk mund të fajësoheni. Fati është i pashmangshëm”, i ka thënë Myftiu i Madh princit Mohammed.

Komentet e klerikut vijnë pasi Këshilli për Siguri Kombëtare i Iranit ka akuzuar autoritetet saudite për “paaftësi” dhe u ka kërkuar atyre që “të marrin përgjegjësi” për vdekjet.

Të shtunën, prokurori i përgjithshëm i Iranit, Ibrahim Raisi, ka thënë se vendi i tij do të kërkojë gjykim të familjes mbretërore saudite për “krimin”.

“Nuk është vetëm paaftësi, por ky është krim”, ka thënë Raisi.

Irani, deri më tani, ka raportuar numrin më të madh të vdekjeve në mesin e shtetasve të huaj: së paku 134. Mbi 340 shtetas iranianë figurojnë ende të zhdukur.

Ish-ambasadori i Iranit në Liban është po ashtu në mesin e të zhdukurve, ka raportuar televizioni shtetëror.

Por, iranianët nuk janë të vetmit që kërkojnë llogaridhënie nga Riadi.

Në Siri, ku sauditët kërkojnë largimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad, gazetat qeveritare kanë akuzuar Qeverinë saudite për dështim në menaxhimin e duhur të Haxhit.

Kreu i delegacionit nigeriazn në Mekë, Sanusi Lamido Sanusi, ka thënë se rrethanat e fatkeqësisë duhet të shikohen nga afër.

Kritika ka pasur edhe nga mbështetësit e të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS), i cili, së fundi, ka kthyer vëmendjen e tij drejt Arabisë Saudite, duke bombarduar disa xhami shiite atje.

Një mbështetës i IS-it ka shkruar në Twitter: “Ata kanë ardhur nga destinacione të largëta për Haxh, por janë keqtrajtuar dhe vrarë nga keqmenaxhimi saudit”.

Rrëmuja ka ndodhur të enjten në mëngjes, pasi dy milionë njerëz kanë qenë duke marrë pjesë në ritin kryesor të Haxhit.

Pelegrinët kanë qenë duke hedhur gurë në shtyllat e quajtura Jamarat, ku besohet se ndodhet djalli.

Në temperatura prej 46 gradësh Celsius, dy linja të gjata besimtarësh janë ndeshur me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur në një urë në Luginën Mina, që ndodhet rreth 5 kilometra nga Meka.

Kjo ka qenë tragjedia e dytë në Arabinë Saudite brenda dy javësh, pasi një vinç i madh ka rënë mbi Xhaminë e Madhe në Mekë, duke vrarë 109 njerëz.

Numrin më të madh të viktimave të hauaj në Haxh, pas shtetasve iranianë, e përbëjnë ata të Marokut, Kamerunit, Nigerit, Indisë, Egjiptit, Pakistanit, Çadit dhe Somalisë.

Haxhi sot njihet si pelegrinazhi më masiv në botë dhe konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të fesë islame.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG