Ndërlidhjet

Ekspertët: Buxheti 2016, me projektime populliste


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Projekt buxheti për vitin 2016 i prezantuar të enjten nga qeveria është më i madhi që nga pavarësia e Maqedonisë, i projektuar në 3.2 miliardë euro.

Qeveria planifikon të grumbullojë 2 miliardë e 874 milionë euro, kurse deficiti buxhetor pritet të jetë 3,2 për qind ose 309 milionë euro.

Inflacioni planifikohet në 2 për qind, kurse rritja e Prodhimit Bruto Vendor në 4 për qind.

Ministri i financave, Zoran Stavrevski ka bërë të ditur se harxhimet kapitale për vitin e ardhshëm planifikohen të jenë 408 milionë euro.

Katërqind milionë euro janë paraparë për subvencione dhe rritjen e pagave.

Sipas vlerësimeve të Stavrevskit, pikat kryesore të rritjes së ekonomisë për 4 për qind parashihen të jenë në ndërtimtari, industri dhe në eksportin neto.

Këtu bëjnë pjesë edhe investimet kapitale si dhe konsumi publik. Por, me këto vlerësime nuk pajtohet opozita dhe njohësit e çështjeve të ekonomisë.

“Pengesë për realizimin e rritjes së Prodhimit Bruto Vendor është fakti se 2016-ta është vit zgjedhor dhe përvoja e deritanishme dëshmon se gjatë kësaj periudhe shumë procese, përfshirë edhe ato ekonomike stagnojnë. Kompanitë nuk mund të motivohen për të investuar, kështu që nuk mund të pritet rritje ekonomike prej 4 për qind. Veç kësaj, buxheti është projektuar që të jetë në shërbim të pushtetit për interesa zgjedhore me masa populiste për tërheqjen e votuesve, para se gjithash të pensionistëve dhe kategorive tjera sociale të cilëve u premtohet rrirja e pagave”, thotë Marjanço Nikollov nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës.

Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe ish deputet, thotë se ky projekt buxhet vetëm se zhvillimor nuk mund të quhet.

Ai thotë se të gjitha projektimet janë jo reale pasi nuk korrespondojnë me realitetin ekonomik të Maqedonisë.

Zeqiri shton se është iluzore të pretendohet rritje ekonomike në kohën kur qeveria gjithë kapacitetet e saj i ka përqëndruar në projekte populiste.

“Ne kemi vit zgjedhor dhe projektimet e buxhetit janë bërë me qëllime populiste. Për të ndikuar apo për të tërhequr votuesit, ajo planifikon rritjen e pensioneve duke qenë e vetëdijshme se kemi një numër të madh prej rreth 297 mijë pensionistëve që janë edhe votues potencial. Veç kësaj, ajo planifikon edhe subvencione për rreth 150 mijë bujq që po ashtu janë edhe votues për zgjedhjet e ardhshme. Kemi të bëjmë edhe me masa tjera të cilat qeveria i miraton për qëllime zgjedhore”, thotë Zeqiri.

Sa i përket investimeve kapitale, Zeqiri thotë se ato do të përjetojnë fatin e projektimeve në të kaluarën kur asnjeherë nuk janë realizuar përkundër paralajmërimeve pompoze të qeverisë.

“Investimet kapitale gjihmonë janë propozime politike populiste të qeverisë të cilat në çdo propozim buxhetor paraqiten me nga 400 milion euro, por që në fakt nuk realizohet. Madje ndodhë që gjatë rishikimeve të buxhetit mjetet e paraparap për projkete kapitale përgjysmohen apo destinohen për projekte tjera. Me këtë pamundësohet rritja ekonomike sikur edhe projketet tjera që parashihen nga ana e qeverisë”, thotë Zeqiri

Ligji për buxhetin tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare dhe duhet të miratohet deri në fund të vitit, por opozita ka paralajmëruar se do të paraqes amendamente për të ndryshuar projektimet, që, sipas saj, nuk do ti sjellin asgjë të mirë qytetarëve të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG