Ndërlidhjet

Tusk vlerëson progresin e arritur në Kosovë


Foto nga takimi.
Foto nga takimi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa është takuar në Nju Jork me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka folur për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, reforma të gjithëmbarshme dhe fuqizim të shtetit ligjor thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Sipas komunikatës Mustafa ka veçuar ”përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për proceset euro-integruese, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe për liberalizimin e vizave, dhe se tashmë pret finalizimin e këtyre dy proceseve.”

Në anë tjetër Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka vlerësuar progresin në Kosovë si dhe hapat e ndërmarrë për zhvillimin e vendit.

“Presidenti Donald Tusk shprehu përkrahje për rrugën integruese evropiane të Kosovës. Gjatë takimit, është biseduar edhe për proceset e tjera të rëndësishme, duke përfshirë edhe krizën e fundit të refugjatëve,” thuhet në komunikatë.

Isa Mustafa ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Delegacioni i Kosovës po qëndron në New York, ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ata deri më tash kanë zhvilluar takime në margjinat e këtij samiti.

XS
SM
MD
LG