Ndërlidhjet

logo-print

Organizatat humanitare dëbohen nga pjesa lindore e Ukrainës

  • RFE /RL

Kryqi i kuq në lindje të Ukrainës

Kryqi i kuq në lindje të Ukrainës

Organizatat humanitare i kanë kritikuar ashpër separatistët e mbështetur nga Rusia, për dëbimin nga pjesa lindore e Ukrainës, duke thënë se me këtë veprim, civilët në këtë rajon të përfshirë nga konlfikti, do të gjenden në pozitë tejet të vështirë, derisa po afrohet dimri.

Mjekët pa Kufij (MSF) me seli në Gjenevë, njëri nga 10 grupet që ishte dëbuar nga separatistët, që e kanë kontrollin ndaj një pjese të rajonit Luhansk, ka vlerësuar se vendimi është “i papranueshëm duke pasur parasysh nevojat e mëdha për ndihmë mjekësore dhe humanitare të popullatës, që është e prekur nga konflikti që po vazhdon në Luhansk”.

“MSF ishte një nga pak organizatat ndërkombëtare që dërgonte ndihmë të domosdoshme në Luhansk, për më tepër se një vit”, tha drejtori i operacioneve në këtë organizatë, Bart Janssens, dhe ka shtuar se “ne ishin të përkushtuar për mbështetjen e mjekëve dhe motrave, që të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre madhore”.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për punë humanitare, Stephen O’Brien, tha se autoritetet “de facto” në Luhansk i kanë urdhëruar agjencitë e OKB-së dhe disa grupe humanitare ndërkombëtare, që të largohen deri më 26 shtator.

Zoti O’Brien ka thënë se të gjitha operacionet e agjencive të Kombeve të Bashkuara në territorin nën kontrollin e kryengritësve në rajonin fqi, Donjeck, janë pezulluar, derisa “vendimi i de facto autoriteteve në Donjeck për operacionet e OKB-së, mbetet në fuqi”.

Ai ka theksuar se “afro 150 mijë njerëz nuk e marrin shpërndarjen mujore të ushqimit” dhe se suspendimi i dërgimit i ka rrezikuar jetët dhe “ka ndikim serioz në afro 3 milionë njerëz, derisa afrohet dimri”.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të kryengritësve “në Luhansk dhe Donjeck, që ta sigurojnë vazhdimin e menjëhershëm të aktiviteteve të OJQ-ve”.

Liderët e separatistëve prorusë në Luhansk kanë thënë se ata e kanë ndaluar aktivitetin e 10 grupeve humanitare mjekësore të perëndimit për “shkelje të rëndë” të asaj që kryengritësit i cilësojnë si ligje të tyre.

“Ne kemi marrë 11 aplikacione për akreditim dhe 10 prej tyre janë refuzuar për shkaqe të ndryshme”, tha lideri separatist në Luhansk, Vasily Nikitin.

Separatistët në Luhansk e kanë akuzuar organizatën Mjekët pa Kufij për “depozitim ilegal të ilaçeve psikotrope”, pa regjistrim përkatës në Rusi apo Ukrainë.

Por, MSF-ja i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se “është shumë e shqetësuar se separatistët në Luhansk kanë vendosur të bëjnë akuza të falsifikuara për ne në media dhe janë përpjekur ta frikësojnë ekipin tonë, duke i sjellë njerëzit e armatosur në zyrën tonë në shumë raste, gjatë periudhës së fundit dyjavore”.

Organiztata tjetër, që i është refuzuar akreditimi, është ajo nga Çekia, People In Need, që sipas Nikitinit kishte bërë “shkelje të mëdha të kushteve tona”.

Përfaqësuesi i organizatës, People In Need, Tomas Kocian, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk kanë marrë kurrfarë njoftimi zyrtar nga de facto autoritetet në Luhansk.

“Ne nuk e dimë sakktësisht se për çfarë rregullash jemi akuzuar se i kemi shkelur dhe, rrjedhimisht, është shumë vështirë për ta komentuar këtë situatë”, tha Kocian.

Ai tha se grupi “për fat të keq” duhet të tërhiqet nga Luhansku dhe Donjecku, nëse detyrohet ta bëjë këtë.

People in Need ndihmon në shpërndarjen e mjeteve mjekësore dhe ujit të pijshëm në pjesët e këtyre dy provincave, që mbahen nën kontrollin e kryengritësve dhe autoriteteve qeveritare, tha thënë zoti Kocian.

Ai theksoi se kjo organizatë ka ndihmuar në riparimin e ndërtesave të dëmtuara gjatë konfliktit.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar ky konflikt i armatosur, janë vrarë më se 7,900 vetë.

Intensiteti i luftimeve është zvogëluar dukshëm prej 1 shtatorit të këtij viti, pas përpjekjeve të ripërtrira për implementimin e armëpushiumit, të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, të nënshkruar në shkurt të këtij viti, në Minsk të Bjellorusisë.

Zoti O’Brien nga Kombet e Bashkuara, në një referencë të qartë për Rusinë, ka kërkuar që “çdokush me ndikim ndaj de facto autoriteteve, ta përdorë atë ndikim për sigurimin e vazhdimit të menjëhershëm të ndihmës humanitare nga agjencitë e OKB-së dhe OJQ-të ndërkombëtare”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG