Ndërlidhjet

Obama, Putin: Të kërkohet zgjidhje politike në Siri


Pamje nga takimi i mbrëmshëm ndërmjet presidentëve Obama (djathtas) dhe Putin

Pamje nga takimi i mbrëmshëm ndërmjet presidentëve Obama (djathtas) dhe Putin

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe ai rus, Vladimir Putin, janë pajtuar që ushtritë e tyre të mbajnë bisedime për evitimin e konfliktit eventual gjatë operacioneve potenciale në Siri, ka thënë një zyrtar i Shteteve të Bashkuara.

Të dy liderët, po ashtu, u pajtuan për gjetjen e opsioneve për zgjidhje politike në Siri, por nuk janë pajtuar për rolin e ardhshëm të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Obama dhe Putin janë takuar mbrëmë vonë në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Bisedimet e tyre 90 minutëshe u përqendruan në Ukrainë dhe Siri, ka thënë një zyrtar amerikan, në kushte të anonimitetit, raporton agjencia Reuters.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit, se presidenti, Bashar al-Assad, duhet të largohet dhe se nuk ka rrugë për në stabilitet në këtë vend të përfshirë nga lufta, me Assadin në presidencë.

Bisedimet politike ndërmjet ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, do të vazhdojnë, ndërsa Pentagoni do të aranzhoj bisedime të zyrtarëve ushtarakë, ka thënë zyrtari amerikan.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet dy presidentëve, gjatë dy viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG