Ndërlidhjet

Obama dhe Putin përplasen për Sirinë dhe Ukrainën


 Barack Obama dhe Vladimir Putin
Barack Obama dhe Vladimir Putin

Ata ndoshta i kanë cakërruar gotat e verës gjatë drekës zyrtare për liderët botërorë, por duket se kishte shumë pak pajtueshmëri në fjalimet e djeshme të presidentit amerikan, Barack Obama, dhe atij rus, Vladimir Putin, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në paraqitjet e tyre në foltore ata shkëmbyen kritika lidhur me konfliktet, që po vazhdojnë në Siri dhe Ukrainë, duke e akuzuar qeverinë e njëri-tjetrit për nxitjen e jostabilitetit global.

Në një referencë therëse ndaj Moskës, presidenti Barack Obama, i kritikoi vendet për mbështetjen e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që për një kohë të gjatë është aleat rus, të cilin Kremlini e ka forcuar në javët e fundit duke dërguar armatim të avancuar, aeroplanë dhe personel ushtarak në Siri, që është e përfshirë nga lufta.

“Në këto baza ne shohim se disa fuqi madhore veprojnë në mënyra që janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ne shohim erozion të parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, që janë fundamentale për misionet e këtij institucioni. Informacionet janë në mënyrë strikte të kontrolluara, hapësira për shoqërinë civile është e kufizuar".

"Na thuhet se kufizimi i tillë është i nevojshëm për ta goditur parregullsinë, që është e vetmja mënyrë për ta thyer terrorizmin ose për parandalimin e përzierjes së jashtme. Në harmoni me këtë logjik, ne shohim mbështetje për tiranët, sikur Bashar al-Assad, i cili hedhë bomba-fuçi për t’i masakruar fëmijët e pafajshëm pasi alternativa është qartas e keqe”, tha Barack Obama.

Presidenti amerikan tha se Uashingtoni është i gatshëm të punoj me Rusinë dhe aleatin tjetër të presidentin Assad, Iranin, për përfundimin e konfliktit në Siri, por Assadi nuk mund të përfshihet në asnjë “tranzicion të menaxhuar”.

Nga ana tjetër, presidenti rus, Vlaimir Putin, duke folur pas Obamën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të bashkuara, ka vlerësuar se do të jetë “gabim i madh të refuzohet bashkëpunimi” me qeverinë e Assadit për të luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Rusia gjithnjë ishte fuqishëm dhe në mënyrë të vazhdueshme kundër terrorizmit në të gjitha format e tij. Sot ne po dërgojmë ndihmë ushtarake eh teknike në Irak, Siri dhe vende të tjera të rajonit, që luftojnë kundër grupeve terroriste".

"Ne konsiderojmë se është gabim i madh refuzimi për të bashkëpunuar me autoritetet e Sirisë dhe ushtrinë shtetërore, që në mënyrë trimërore luftojnë ballë për ballë me terrorin. Përfundimisht, duhet të pranojmë se përkundër ushtrisë së presidentit Assad dhe luftëtarëve kurdë, atje askush tjetër në mënyrë reale nuk lufton kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste”, tha Vladimir Putin.

Derisa Obama është shprehur se qeveritë represive janë në vazhdimësi jostabile dhe eventualisht zhyten në kaos, Putin ka përsëritur aludime se Shtetet e Bashkuara, që me emër e ka përmendur vetëm njëherë, dhe perëndimi, janë burim i përzierjeve shkatërruese në punët e shteteve të tjera.

Ai e akuzoi Uashingtonin se i armatos kundërshtarët e Assadit, të cilët pastaj dezertojnë dhe kalojnë të luftojnë për ekstremistët e Shtetit Islamik.

Obama dhe Putin janë përplasur edhe lidhur me aneksimin e Gadishullit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë. Në mars të vitit 2014.

“Merreni parasysh aneksimin rus të Krimesë dhe agresionin e mëtejshëm në pjesën lindore të Ukrainës. Amerika i ka pak interesa ekonomikë në Ukrainë. Ne e kuptojmë historinë e thellë dhe komplekse ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Por, ne nuk qëndrojmë anash kur në mënyrë flagrante shkelet sovraniteti dhe integriteti territorial i një vendi".

"Nëse kjo ndodhë pa pasoja në Ukrainë, kjo mund të ndodhë ndaj secilit vend që është i pranishëm këtu. Kjo është bazë e sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë i kanë imponuar kundër Rusisë. Kjo nuk është dëshirë për kthim në Luftën e Ftohtë”, tha Barack Obama.

Vladimir Putin, nga ana tjetër, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitje të revolucioneve në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ai e ka fajësuar NATO-n për zgjerim në pjesën lindore të Evropës dhe në ish-shtetet sovjetike, për krijim të tensioneve, që kanë çuar në trazira në Ukrainë dhe kulmuan me përmbysjen e presidentit, Viktor Yanukovich, në shkurt të vitit 2014.

“Ne jemi të bindur se e vetmja mënyrë për ta ndalur gjakderdhjen në Ukrainë dhe për të gjetur mënyrë për dalje nga rruga pa krye, është implementimi i plotë dhe i sinqertë i marrëveshjeve të Minskut, të arritur më 12 shkurt të këtij viti. Kërëcnimet dhe forca e armatimit nuk sigurojnë integritet të Ukrainës, që realisht është e nevojshme".

"Ajo që po ashtu është e nevojshme, është që vërtetë të merren parasysh interesat e popullit në Donbbas, për ta respektuar zgjidhjen e tyre dhe për t’i koordinuar elementet kryesore të rregullit politik të vendit me ta”, tha Vladimir Putin.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG