Ndërlidhjet

Alekseyeva: Nuk mund të fitoni luftën e vetme


Lyudmila Alekseyeva
Lyudmila Alekseyeva

Aktivistja veterane ruse e të drejtave të njeriut, Lyudmila Alekseyeva, është shpërblyer të hënën me çmimin për të drejtat e njeriut, Vaclav Havel.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se ka marrë disa çmime, por ndër më të veçantit radhit këtë të Havelit, i cili ndahet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe atë të Sakharovit, të cilin e ndan Parlamenti Evropian.

Havel ka qenë burrështetas dhe disident çek, ndërsa Sakharov disident sovjetik.

“I kam njohur tyë dy, kam pasur nderin të flas me ta dhe kam marrë çmimet që mbajnë emrat e tyre. Kjo, natyrisht, falë përpjekjeve të të gjithë lëvizjes për të drejtat e njeriut në Rusi. Personalisht nuk kam arritur shumë, si individ. Ju nuk mund të fitoni luftën e vetme”, thotë Alekseyeva.

Sipas saj, çmimi Vaclav Havel është edhe njëfarë mesazhi i Evropës për Rusinë.

“Evropa është duke i shpjeguar mjaft qartë Rusisë atë që Rusia nuk do ta bëjë: respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, respektimin e të drejtave të njeriut, respektimin e dinjitetit të qytetarëve të saj, respeketimin e kushtetutës së saj dhe të qenët një shtet i denjë për familjen evropiane”, thotë Alekseyeva.

Alekseyeva, 88 vjeçe, i është bashkuar lëvizjes sovjetike disidente në vitet 1960, ndërsa më vonë është bërë bashkëthemeluese e Grupit të Helsinkit në Moskë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon kushtet në të cilat ka punuar.

“Grupi i Helsinkit në Moskë është themeluar në vitin 1976 në Bashkimin Sovjetik. Nuk kemi pasur ndonjë regjistrim. Autoritetet, jo vetëm që nuk na kanë mbështetur, por ne kemi qenë subjekt i të gjitha shtypjeve. A kemi punuar? Po, kemi punuar. Organizatat e sotme joqeveritare janë në të njëjtën situatë; ato shtypen, por vazhdojnë të punojnë”, thotë Alekseyeva.

Ajo është detyruar të migrojë në Shtetet e Bashkuara më 1977, ndërsa është kthyer në Rusi më 1989 për të vazhduar punën.

Çmimi vjetor Vaclav Havel, në vlerë prej 60,000 eurosh, nderon individë ose organizata që vlerësohet se kanë ndërmarrë veprime në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Evropë dhe më gjerë.

Ky është viti i tretë që është ndarë ky çmim.

Më 2013, ai i është dhënë aktivistit bjellorus të të drejtave të njeriut, Ales Byalyatski, ndërsa më 2014 aktivistit azerbajxhanas Anar Mammadli.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG