Ndërlidhjet

logo-print

Nxënës të nivelit të mesëm shkollor, kanë debatuar të martën në Vushtrri për ekstremizmin e dhunshëm, në kuadër të një diskutimi të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Debati është mbajtur në hapësirat e shkollës së mesme profesionale “Bahtir Hoxha”.

Diskutimet ishin kryesisht të përqëndruara rreth pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, posaçërisht ato në Lindjen e Mesme, përkrah organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusrah.

Auron Shaqiri, nxënës i klasës së njëmbëdhjetë, konsideron se shumë nga të rinjtë të cilët kanë marrë këtë rrugë, janë manipuluar nga grupe të caktuara të cilat mbështesin militantët e Shtetit Islamik.

“Mendoj se të rinjtë nga Kosova shkojnë atje nga mosdija. Nuk dijnë për fenë, nuk kanë lexuar libra për fenë, nuk kanë dëgjuar këshilla as nga familja e as nga dikush që i din mirë këto zhvillime”, tha Shaqiri.

Një nxënëse e kësaj shkolle, emri i së cilës është i njohur për redaksinë, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, trysninë që ka pasur një i afërm i saj, i cili u është bashkuar militantëve të IS-it.

“Po një i afërm ka shkuar në ISIS dhe familja e tij është kërcënuar nëse ajo nuk e mbështetë shkuarjen e tij”, tha ajo.

Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në të gjitha shkollat e Kosovës kryesisht në ato të mesmet, është një nevojë urgjente për organizimin e debateve lidhur me pasojat e ekstremizmit të dhunshëm.

“Ka raste kur nxënësit nuk kanë mundur të bëjnë ndarjen në mes të religjionit dhe asaj që po ndodh në luftën e Sirisë. Ka pasur raste kur nxënësit nuk kanë pasur shumë informacione të drejta se çka është duke ndodhur në luftën e Sirisë dhe Irakut dhe pasojat që mund t’i ketë një i ri".

"Ka pasur raste kur nuk ata nuk i bëjnë dallimet. Ka keqkuptime sa i përket asaj që ndodhë në Lindjen e Mesme dhe atë që e mendojnë ata që është e drejtë ose jo”, tha Perteshi.

Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak. Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zoti Perteshi tha se vetëm nga komuna e Junikut nuk ka shkuar asnjë person për të marrë pjesë në Siri dhe Irak.

“Është e vërtetë që rrafshi i Kosovës duke përfshirë komunën e Vushtrrisë, Mitrovicës, Hanit të Elezit, Kaçanikut dhe Gjilanit, janë pesë komunat që më së shumti janë influencuar nga ky fenomen”, tha Perteshi.

Ai ka kritikuar institucionet e Kosovës të nivelit qendror dhe lokal se nuk janë duke ndërmarrë sa duhet për vetëdijesimin e qytetareve lidhur me ekstremizmi dhunshëm dhe pasojat e pjesëmarrjes së qytetareve të Kosova në luftëra të huaja.

“Të jemi i sinqertë shumë pak ose aspak nuk janë duke u marrë me ketë çështje që të punohet në terren, qoftë nga ana e komunave, qoftë nga ana e qeverisë së Kosovës, e qoftë edhe nga ana e agjencive të pavarura. Kërkohet definitivisht një bashkëpunim shumë i madh mes qeverisë, komunave dhe Bashkësisë Islame të Kosovës lidhur me ketë çështje”, tha Perteshi.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar një ligj, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Autoritetet në Kosovë kanë miratuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Qendra Kosovare të Studimeve të Sigurisë, në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë është duke zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë, për vetëdijesimin e shoqërisë rreth asaj se çfarë mund të bëjë shoqëria në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG