Ndërlidhjet

Marrëveshja e Ohrit mund të ndihmojë drejt anëtarësimit në BE


Shkup

Shkup

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, duhet të shërbejë për hapjen e mundësive për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, ka theksuar zëvendëskryeministri i cili është përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, Musa Xhaferi, në një konferencë për shtyp.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe ambasadorja e ambasadori i OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomalainen si dhe diplomati amerikan Pieter Feith nga Instituti për Paqe në Bruksel.

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe të martën nuk ka dhënë asnjë të dhënë konkrete për zbatimin e deritanishëm të dokumentit Kornizë, veçanërisht në lëmitë më të ndjeshme, siç është përfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke iu shmangur pyetjes pse akoma një numër i madh i administratorëve shqiptarë mbeten të pasistemuar.

“Tani nuk mund të jap të dhëna precize statistikore. Nuk është çështja vetëm e asaj se sa shqiptarë dhe sa maqedonas punësohen, kemi edhe komunitete tjera, sipas Kushtetutës duhet të trajtohen edhe ato. Komuniteti shumicë duhet ta hap perspektivën e saj, nuk munden komunitetet më të vogla".

"Përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese, nuk është vetëm numra në administratë. Është e drejtë shumë themelore” është shprehur zëvendëskryeministri Xhaferi, duke konstatuar se Marrëveshja e Ohrit edhe pse është integruar plotësisht në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ajo nuk po gjen zbatimin në praktikë për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Ai po ashtu tha se besimi i qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore si dhe raportet ndëretnike lënë shumë për të dëshiruar.

“Ajo që është më e rëndësishme për t'u theksuar në një kohë krize ku është luhatur besueshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve në përgjithësi vazhdimisht duke pasur parasysh marrëveshjen që u arrit mes partive politike me asistencën e faktorit ndërkombëtar në Përzhino, dimensioni paralelisht i ndjeshëm ashtë ai i marrëdhënieve ndëretnike ose bashkëpunimi ndëretnik në Maqedoni”.

Ndërkaq ambasadorja e OSBE-së në Maqedoni Nina Suomalainen, nismën për një analizë të detajuar të Marrëveshjes së Ohrit e ka cilësuar si nismë të mbarë për proceset demokratike në vend.

“Sido që të jetë, ne dëshirojmë të shohim politika të qarta të pajtimit, rehabilitimit si dhe integrimin e sërishëm të shoqërisë e cila është e ndarë për tu ndërtuar një kohezion multietnik dhe një shteti modern evropian".

"Kjo politikë integruese e cila është kruciale për të ardhmen e vendit duhet të zhvillohet dhe jetësohet në praktikë dhe besojmë se procesi për revidimin e Marrëveshjes së Ohrit paraqet një fillim të mbarë”.

Ndryshe, për analizën gjithëpërfshirëse të Marrëveshjes Kornizë janë angazhuar 6 grupe punuese, që do të analizojnë çështjen e përfaqësimit, përdorimin e gjuhës, decentralizimin, mosdiskriminimin, arsimin dhe çështjen e etniteteve pakicë.

XS
SM
MD
LG