Ndërlidhjet

Frikë dhe mosbesim në Kunduz

  • RFE /RL

Forcat afgane të sigurisë

Forcat afgane të sigurisë

U janë dashur vetëm disa orë talibanëve që të marrin nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit Kunduz.

Një banor e ka përshkruar skenën si çuditërisht të qetë kur militantët janë mbledhur në qendër të qytetit, pasi kanë mposhtur forcat qeveritare dhe policore, të hënën.

“Gjendem në sheshin qendror të Kunduzit tani dhe qyteti është nën sundimin e talibanëve. Të gjitha parullat dhe fotografitë e komandanit Ahmad Shah Masur dhe të udhëheqësve të tjerë muxhahedinë po shqyhen nga talibanët. Ata kanë organizuar një turmë shikuesish përreth tyre dhe të dyja palët po thirrin slogane në mbështetje të njëra-tjetrës”, rrëfen për Radion Afganistani i Lirë një banor, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.

Talibanët kanë zëvendësuar fotografitë e Masurit, i cili ka udhëhequr koalicionin anti-taliban në veri të Afganistanit derisa është vrarë në vitin 2001, me flamurin e bardhë të betejës.

Ky veprim ka shënuar rikthimin e talibanëve në qytetin që kanë pasur bastion, përpara se janë rrëzuar nga pushteti si pasojë e pushtimit amerikan, 14 vjet më parë.

Qetësia ka pasuar rënien e Kunduzit, por atmosfera më pas është shndërruar në frikë.

Ekziston frika e vrasjeve arbitrare nga milicia fundamentaliste.

Një komandant i policisë i ka thënë medias gjermane Spiegel Online se luftëtarët talibanë kanë vrarë dy mjeke në spitalin e qytetit. Raporti, megjithatë, nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Në të njëjtën kohë, banorët po përgatiten për luftime më të ashpra, pasi qeveria ka nisur kundërofensivën.

“Është situatë lufte. Zonat në maje të kodrës janë nën kontrollin e qeverisë, por talibanët janë brenda qytetit”, tregon një tjetër banor i Kunduzit.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit ka thënë të martën se “trupa shtesë kanë arritur në Kunduz” dhe se “operacioni ka nisur”.

Sipas deklaratës, forcat qeveritare kanë rimarrë burgun e qytetit dhe selinë e policisë provinciale.

Edhe një zëdhënës i NATO-s ka thënë se aeroplanët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara kanë goditur caqet e talibanëve “për të eleminuar kërcënimin ndaj forcave të koalicionit dhe atyre afgane që operojnë në afërsi të Kunduzit”.

Shumë banorë fajësojnë guvernatorin e provincës Kunduz, Mohammad Omer Safi, për dështimin për të mbrojtur qytetin, pavarësisht kërcënimeve të qarta për të.

Safi, i cili nuk ka qenë në qytet gjatë sulmit më 28 shtator, ka thënë se ai ka rënë “për shkak të mungesës së kujdesit nga ana e qeverisë qendrore”.

Talibanët raportohet se kanë liruar së paku 500 të burgosur nga burgu në Kunduz, 140 nga të cilët kanë qenë kryengritës.

Kunduzi, njëri nga qytetet më të mëdha në veri të Afganistanit, ka rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike për qeverinë dhe talibanët, sepse përfshin një rrugë të rëndësishme të tregtisë nga Taxhikistani.

Ai po ashtu shtrihet në rrugën kryesore që lidh Kabulin me krahinat verilindore Takhar dhe Badakshan – që të dyja të kërcënuara nga kryengritësit.

Të gjitha këto sugjerojnë se asnjëra palë nuk do të heqë dorë lehtë nga lufta për Kunduzin.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG