Ndërlidhjet

Zyrtari amerikan: Rusia i filloi sulmet ajrore në Siri


Pamje e aeroplanit luftarak rus TU22 Backfire
Pamje e aeroplanit luftarak rus TU22 Backfire

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se beson se Rusia i ka filluar sulmet ajrore në Siri, afër qytetit Homs, në pjesën perëndimore të këtij vendi.

Ky zyrtar amerikan i ka thënë agjencisë Reuters se Moska e ka njoftuar Uashingtonin një orë para operacioneve.

Zyrtari anomin, mëtutje, ka theksuar se informacionet për sulmet janë preliminare dhe ka refuzuar të paraqes çfarëdo detaji për numrin e sulmeve ose për tipin e aeroplanëve, që janë përdorë për sulme.

Sulmet ajrore të raportuara u bënë sot, kur Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë votoi unanimisht për të drejtën që presidenti, Vladimir Putin, t’i përdorë forcat e armatosura në Siri.

Sergei Ivanov, shefi i kabinetit të presidentit Putin, tha se objektiv i votimit ishte autorizimi i shfrytëzimit të forcave ajrore dhe se “shfrytëzimi i forcave të armatosura në operacionet tokësore është përjashtuar”.

Ivanov ka theksuar se votimi u bë pas kërkesës së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për ndihmë ushtarake në luftimin e grupit militant, ISIS.

Nga ana tjetër, Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, tha se 27 civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet e sotme ajrore siriane, në provincën Homs.

XS
SM
MD
LG