Ndërlidhjet

Foltorja e "heshtur" e Kuvendit të Kosovës


Kuvendi i Kosovës, foto arkivi

Kuvendi i Kosovës, foto arkivi

Foltorja e Kuvendit të Kosovës edhe të enjten u bllokua nga deputetë të partive politike në opozitë.

Ligjvënës nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë pamundësuar vazhdimin e seancës së paralajmëruar, në kërkim të tërheqjes së nënshkrimit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nga marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mori vendim për ta ndërprerë seancën e sotme dhe ta shtyjë atë që është paraparë të mbahet të premten.

Vendimi u publikua pas një pauze, gjatë së cilës u zhvillua një takim ndërmjet shefave të grupeve parlamentare.

Zoti Veseli, pas ndërprerjes së seancës, në një konferencë me gazetarë ka ftuar deputetët e opozitës që të kthehen në Kuvend dhe të debatojnë për çështje të cilat janë të rëndësishme për Kosovën.

“Nuk jemi për majorizim të një shumice ndaj pakicës, por në të njëjtën kohë nuk do të tolerohet pakica të imponojë vullnetin e shumicës”, tha Veseli.

Puna e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë dhe do të gjenden të gjitha opsionet që demokracia të mos ketë krizë, tha zoti Veseli dhe theksoi se nuk do të lejojnë që Kuvendi i Kosovës të shndërrohet në teatër.

“Ka këtu zëra që mendojnë se me stupca do të arrihet demokracia parlamentare. Unë jam duke i përdorur të gjitha mjetet të cilat janë humane, ligjore që janë edhe në traditën tonë. Nga kjo sallë e Kuvendit më parë do të dal pozita sesa opozita. Nuk do të lejojmë skenarin e bartjes se pakënaqësive në rruge si moment i bllokimit. Nuk do të ketë dhunë nuk do të ketë skenarë dhunë, kemi nevojë për qetësi dhe paqe”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka reaguar ndaj bllokimit të seancës së Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës.

Ai tha se të gjitha çështjet duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit me Serbinë të arritura me ndërmjetësimin e Brukselit, duhet të diskutohen në Kuvend dhe aty, siç tha ai, duhet të paraqiten argumentet.

“Për Zajednicën (asociacionin) dhe për të gjitha çështjet, jemi të gatshëm të debatojmë dhe të ofrojmë secili argumentet e veta. Të marrim një qëndrim të përbashkët dhe të mos bëjmë veprime të cilat nuk na kanë hije si deputet, si përfaqësues të popullit”, u shpreh Grabovci.

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se opozita nuk do të heqë dorë nga bllokada e Kuvendit deri në përmbushjen e kërkesave që kanë të bëjë me tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

“Më 25 gusht, Isa Mustafa e ka nënshkruar në Bruksel me i dhënë Serbisë 30% të territorit të Kosovës. Askush nuk e ka derdhur gjakun as në luftën çlirimtare, askush nuk e ka mandatin as nga deputetët, askush nuk është zgjedhur ta dëmtojë sovranitetin e shtetit tonë. Për ketë arsye, opozita është shumë e vendosur ta bllokojë punën e Kuvendit deri sa Isa Mustafa të vijë këtu dhe të tërheq nënshkrimin për Zajednicën”, tha Konjufca.

Konjufca ka deklaruar po ashtu se opozita nuk do të kursehet nga përdorimi i çdo mjeti për të ndaluar krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Edhe pas bllokimit të Kuvendit, qeveria nuk po lëshon pe dhe Isa Mustafa po thotë se nuk e tërheq nënshkrimin, atëherë ne presim shprehje të pakënaqësisë së popullit në rrugë dhe hapësira publike, përmes protestave dhe demonstratave të cilat me siguri që do t’i organizojë fronti i përbashkët opozitar”, tha Konjufca, duke shtuar se në rast të eskalimit të situatës dhe protestave përgjegjësinë do ta mbajë ai i cili ka vendosur nënshkrimin për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në javën e ardhshme, pritet të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit për të caktuar seancës e radhës.

Javën e kaluar, seanca pati nisur dhe përfunduar menjëherë pas një sulmi me vezë nga deputetët e opozitës në drejtim të kryeministrit Mustafa, në kohën që ai po raportonte për marrëveshjen e arritur.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, është arritur më 25 gusht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita e sheh atë si hap që çon drejt ndarjes së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG