Ndërlidhjet

Marrëveshjes së Ohrit i ka skaduar afati i zbatimit


Partitë politike në Maqedoni, sërish aktualizojnë Marrëveshjen e Ohrit, respektivisht nevojën për zbatimin e saj edhe 14 vjet nga nënshkrimi i këtij dokumenti në vitin 2001.

Madje, kjo marrëveshje është bërë pjesë e grupeve punuese të partive me kërkesë të Bashkimit Demokratik për Integrim në qeveri, e cila zbatimin e saj e vlerëson si shumë të rëndësishëm për stabilitetin, forcimin e raporteve ndëretnike dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Por, riaktualizimi i saj ka nxitur reagime të ndryshme në vend, para se gjithash nga partitë opozitare dhe njohësit e çështjeve politike.

Ata thonë se Marrëveshja e Ohrit ishte një bazë e mirë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, por zvarritja e zbatimit të saj i ka humbur krejtësisht kuptimin duke ngritur nevojën, e siç thonë kërkimit të alternativave tjera.

Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike thotë se Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej brenda katër viteve nga nënshkrimi i saj, apo deri në vitin 2006.

Por, sipas tij, kjo jo vetëm që nuk është bërë, por ajo ka devijuar edhe nga pikat kryesore të saj, në veçanti për përdorimin e gjuhës shqipe, të simboleve dhe përfaqësimit, çështje këto që ende kanë mbetur të hapura. Duke folur për riakualizimin e saj, Sinani u shpreh:

“Këtë personalisht e shoh si mënyrë apo tentim të pushtetarëve shqiptarë për të shpëtuar lëkurën nga situata në të cilën janë zhytur. Edhe pas 14 viteve të flitet për mënyrën se si duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit është një mashtrim që partitë në pushtet ua bëjnë shqiptarëve në Maqedoni“, thotë Sinani.

Një ditë më parë, drejtuesit e qeverisë dolën në opinion me vlerësime për rëndësinë që ka Marrëveshja e Ohrit, por pa dhënë detaje mbi zbatimin e saj.

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, pranoi se ka ngecje dhe për këtë fajësoi mungesën e vullnetit nga ana e partive tjera politike.

Një raport më të detajuar ai e paralajmëroi për në muajin e ardhshëm.

Por, analistët nuk presin risi nga një raport i tillë meqë sipas tyre, transparenca mbi këtë dokument të rëndësishëm ka munguar gjithmonë.

“Partitë shqiptare asnjëherë nuk i kanë dhënë llogari strukturave drejtuesve të partisë, kongreseve të partisë, e lere më të flasin për një transparencë për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Mendoj se vrastare të Marrëveshjes së Ohrit janë partitë politike shqiptare të cilat me paaftësitë dhe me kuadrot e dobëta të cilat kanë menaxhuar këtë dikaster e ka sjellë situatën aty që kjo marrëveshja të mos zbatohet në pikat strategjike të saj“, thotë analisti Arsim Sinani.

Edhe Lubomir Fërçkovski, një nga pjesëmarrësit në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, fajëson partitë politike për ngecjet në zbatimin e saj. Sipas tij, tani partitë politike në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim tenton që përmes formave të ndryshme të amnistohet, siç shprehet, për dështimet duke tentuar që pikat e saj ti imponoj në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike.

“Duke mos mundur të gjinden në këtë agjendë të bisedimeve për zgjidhjen e krizës dhe nga frika e përgjegjësisë e cila siç e shohim shkon edhe deri në përçarjen e partisë, ata mundohen që të imponojnë një agjendë etnike që ekziston në përgjithësi, por jo edhe në Marrëveshjen Politike".

"Kjo marrëveshje ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut, edhe të shqiptarëve, edhe të maqedonasve nga qeveria e korruptuar, pjesë e së cilës është edhe BDI-ja“,thotë Fërçovski.

Ai ka akuzuar partitë, në veçanti BDI-në për ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, meqë siç thotë ai, ajo që në vitin 2001 me përjashtim të periudhës 2006-2008 ka qenë pjesë e pushtetit, andaj edhe më së shumti bartë përgjegjësinë sa i përket ngecjeve në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

XS
SM
MD
LG