Ndërlidhjet

Turqia e shqetësuar me sulmet e Rusisë në Siri


Ministri i Jashtëm turk, Feridun Sinirlioglu.
Ministri i Jashtëm turk, Feridun Sinirlioglu.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Feridun Sinirlioglu, ka shprehur “shqetësime serioze” për raportet se sulmet e para të Rusisë në Siri kanë goditur civilët dhe rebelët anti-regjim, në vend të xhihadistëve të Shtetit Islamik (IS).

“Ndjejmë shqetësime serioze për informacionet se sulmet ajrore të Rusisë në Siri kanë goditur pozicionet e opozitës në vend të atyre të Daeshit (IS-it) dhe, si rezultat, civilë kanë humbur jetën”, ka thënë Sinirlioglu.

Rusia ka vazhduar sot sulmet ajrore në Siri për të dytën ditë me radhë.

Rusia thotë se sulmet kanë për qëllim të mposhtin militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik, por pretendimet e tilla vihen në dyshim nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se raportet për viktima civile si rezultat i sulmeve ajrore ruse, janë “sulm informativ”.

“Kur bëhet fjalë për informacionet e medias për viktimat civile, ne jemi të gatshëm për sulme të tilla informative. Më lejoni t’ju tërheq vëmendjen për faktin se informacioni i parë për viktima civile ka dalë përpara se avionët tanë ushtarakë janë nisur”, ka thënë Putin.

XS
SM
MD
LG