Ndërlidhjet

logo-print

Kryeministri i Irakut do t’i mirëpriste sulmet ruse


Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka thënë se do të “mirëpriste” sulmet ajrore të Rusisë në vendin e tij, nëse Moska bën një propozim të tillë.

“Nëse marrim ofertën, do ta shqyrtojmë atë. Në fakt, do ta mirëpresim”, ka thënë Abadi në një intervistë për televizionin France 24.

Abadi ka bërë të ditur se është në kontakt me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia nuk ka plane të zgjerojë sulmet ajrore në Irak, porse do ta bënte një gjë të tillë nëse Iraku kërkon.

Abadi po ashtu ka thënë se është në interesin e Rusisë të luftojë grupin ekstremist të Shtetit Islamik (IS) sepse “mbi 2,000 luftëtarë të IS-it janë rusë”.

Ai ka thënë se Uashingtoni dhe Moska duhet të ndalojnë akuzat e ndërsjella për Sirinë dhe të gjejnë një mënyrë për të punuar së bashku.

Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri më 30 shtator, duke thënë se sulmon caqet e militantëve të Shteti Islamik.

Shtëpia e Bardhë ka shprehur dyshim se sulmet ruse godasin opozitën siriane pa dallim dhe se kanë për qëllim të forcojnë presidentin sirian, Bashar al-Assad.

XS
SM
MD
LG