Ndërlidhjet

Rreth 30 milionë euro pasuri e sekuestruar nga shteti


Ilustrim

Ilustrim

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se autoritetet kompetente kanë dështuar të konfiskojnë pasurinë e fituar nga veprat kriminale.

Sipas tyre, ka dyshime se në Kosovë shumë persona e posaçërisht zyrtarë qeveritarë, kanë pasuri në shpërputhje të mëdha me pagat që kanë.

Sidoqoftë, deri më tani nën administrim të shtetit janë 30 milionë euro pasuri.

Përgjegjëse për administrimin e kësaj pasurie është Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, kryeshefi i kësaj Agjencie, Rrahim Rama, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se vlera e pasurive të administruara nga Agjencia, është rreth 30 milionë euro.

“Për nga vlera, më së shumti pasuri të administruara ka bizhuteri, ari, argjend, mjete transporti dhe para të gatshme. Këto janë kryesisht pronë e personave privat. Shumica e tyre ruhen në depon qendrore të Agjencisë në fshatin Llukar, Komuna e Prishtinës, pastaj në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rama për Radion Evropa e Lirë.

Por, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e konsideron të mjaftueshme vlerën e administruar të pasurisë, por megjithatë, ai shprehet se kjo pasuri mbetet dyshuese se a do të konfiskohet apo prap i kthehet pronarit.

Ai thotë se personat që fitojnë pasuri në mënyrë joligjore nuk po gjykohen dhe pasuria e tyre nuk po konfiskohet, e sidomos pasuria e personave zyrtarë.

Pasuria e sekuestruar, thotë Preteni, është rezultat i veprave të vogla dhe jo veprave dyshuese për korrupsion të niveli të lartë.Ai shprehet se deri më tani nuk ka ndonjë rast që është konfiskuar pasuria e zyrtarëve të lartë.

“E di se edhe nga Agjencia, por edhe nga disa prokurorë ka pasur mospërputhje të të dhënave se çka është administrim, sekuestrim e çka është konfiskim. Edhe administrimi edhe sekuestrimi janë masa të përkohshme, ku një pasuri izolohet dhe pronari i dyshuar nuk e gëzon".

"Por, ky nuk është vendim definitiv i gjyqësorit që kjo pasuri t'ju kthehet shtetit. Do të thotë administrohen, por të gjitha këto e presin një verdikt përfundimtar gjyqësor dhe pastaj pasojnë procedurat e stërzgjatura. Kështu që është pikëpyetje se kjo pasuri do të konfiskohet apo do t'i kthehet prap pronarit”, tha Preteni.

Ndryshe, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritet kompetente që të konfiskojnë pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas, tyre vendi ka nevojë edhe për ligje tjera që ndihmojnë në këtë drejtim.

Nora Bajrami, hulumtuese në organizatën joqeveritare “Fol”, ka thënë se Ligji ekzistues për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, nuk ka treguar ndonjë efekt.

Ajo ka thënë se deri më tash prokurorët nuk kanë shfrytëzuar pothuajse në asnjë rast kompetencat shtesë qe janë paraparë me ligjin ekzistues edhe pse është miratuar në vitin 2013.

“Duhet pasur parasysh që kjo fushë kërkon specializim të prokurorëve dhe pa ndërmarrjen e kësaj nisme nuk mund te pritet ndonjë përmirësim. Ky fakt është parë edhe me mospërdorimin e kompetencave shtesë nga ana e prokurorëve për faktin se nuk kanë pasur njohuri, por edhe guximin për t'i shfrytëzuar kompetencat e parapara ne Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka pasur një numër sekuestrimesh dhe ngrirjesh të pasurive të ndryshme që dyshohet se rrjedhin nga aktivitetet kriminale.

Sipas raportit të fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për aktivitetet dhe rekomandimet e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik për periudhën prill – qershor 2015, thuhet se janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri me vlerë mbi 16 milionë euro, kurse vlera e konfiskimeve ka arritur në mbi 64 mijë euro, prej të cilave 35 mijë euro kanë qenë para të gatshme që tashmë janë derdhur në buxhetin e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG