Ndërlidhjet

Grupit punues i përbërë nga përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, me ndërmjetësimin e ekspertëve ndërkombëtarë konform marrëveshjes politike, i kanë mbetur afat vetëm edhe katër ditë deri më 6 tetor që të arrijnë ujdi për modelin zgjedhor, veçanërisht regjistrimin e votuesve si dhe pastrimin e listave zgjedhore.

Ambasadorja e OSBE-së në Maqedoni, Nina Soumalainen, konsideron se edhe kundrejt afatit të shkurtër kohor, me një vullnet të mirë të demonstruar nga të gjitha palët, listat zgjedhore mund të eliminohen parregullsitë të cilat kanë të bëjnë me listën zgjedhore.

“Unë nuk do të marr qëndrim rreth kësaj çështje, por mund të them se me një riorganizim dhe revizion të mirë si dhe ndihmën e ekspertëve, lista e tanishme zgjedhore mund të përmirësohet, përkatësisht të eliminohen të gjitha gabimet si dhe të shmangen duplifkimet".

"Nëse përgatitjet fillojnë tani, ka shumë mundësi që punët të përfundojnë me kohë përkatësisht para se të mbahen zgjedhjet”, është shprehur ambasadorja.

Por, ekspertët konsiderojnë se në Maqedoni në më shumë raste është demonstruar mungesa e vullnetit politik.

Temellko Ristevski, ekspert i çështjeve politike, thotë se partitë politike nuk hezitojnë të minojnë procesin në funksion të interesave të ngushta partiake.

“Në shoqëri është fakt se mungon shprehia e punës, mendoj punës organizative në të mirë të proceseve demokratike, punët e rëndësishme i lëmë për t'i kryer në momentin e fundit, kjo më bën skeptik se çështja e pastrimit të listave zgjedhore do të përmbyllet brenda këtyre katër ditëve" .

Krahas pastrimit të listës zgjedhore, grupet punuese duhet të harmonizojnë qëndrimet edhe rreth modelit për regjistrimin e votuesve në regjistrin zgjedhor.

Modeli që parasheh regjistrimin e votuesve, shtëpi në shtëpi, krijon hapësirë që mërgimtarët të përjashtohen nga procesi i votimit, andaj për këtë model është shprehur kundër partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim.

Sa i përket kodit zgjedhor, sfidë në vete për grupet e punës paraqet dhe arritja e një marrëveshjeje për votimin e diasporës, prezantimin mediatik të partive politike gjatë fushatave zgjedhore, ndarja e partive në pushtet nga aktivitetet shtetërore, financimi i fushatave zgjedhore, si dhe depolitizomi i institucioneve të cilat janë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë theksojnë se për organizimin e zgjedhjeve konform standardeve të vendeve të zhvilluara demokratike, nevojitet ngritja dhe funksionimi i institucioneve neutrale dhe të pavarura të cilat janë përgjegjëse për realizimin e zgjedhjeve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nivelin lokal apo atë qendror.

Në këtë drejtim, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë se asnjë model nuk do të jetë funksional përderisa nuk sanksionohen, përkatësisht nuk nxirren para drejtësisë ata të cilët deri më tani në vazhdimësi disa procese zgjedhore me radhë kanë shkelur rregullativën zgjedhore.

“Legjislacioni i Maqedonisë deri më tani të gjitha ndryshimet të cilat i ka pësuar i ka plotësuar të gjitha kriteret ndërkombëtare, por gjendja faktike në praktikë dëshmon krejtësisht të kundërtën sa i përket praktikimit të ligjeve, përkatësisht këtyre standardeve".

"Pra, kemi të bëjmë me mospërgjegjsinë e atyre personave të cilët keqpërdorin detyrën e tyre në realizimin e zgjedhjeve. Në këtë rast nuk ka hapësirë diskutimi për modelin zgjedhor pa u pastruar veprimet kriminale të cilat kanë ndodhur deri më tani në Maqedoni”, thekson Selmani.

XS
SM
MD
LG