Ndërlidhjet

Kosova s’ka mundësi për kompani ajrore?!


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës

Kosova nuk ka ndonjë kompani ajrore publike dhe nuk pritet që të ketë. Kjo pasi në politikat zhvillimore të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) nuk parashihet që shteti të investojë në themelimin e kompanive ajrore publike.

Kështu thonë në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, sipas të cilëve, ky investim konsiderohet model i tejkaluar, për shkak të trendëve të zhvillimit të këtij sektori.

24 kompani ajrore që operojnënë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, janë kompani të huaja, shumica e tyre vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Nevojën për investim në ndonjë kompani publike ajrore, muajin e kaluar e pati paraqitur në Kuvendin e Kosovës deputetja Teuta Haxhiu, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ajo pati kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që të fusë në agjendën qeveritare edhe hapjen e një kompanie ajrore shtetërore.

Sipas saj, kjo mund të realizohet nëse fillon bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës zyrtare.

“Në këtë rast, mundësitë nuk janë për momentin, mirëpo nuk do të thotë që të mos gjendet mundësia në mes dy shteteve.Unë kam dhënë një propozim që të bisedohet paraprakisht edhe me shtetin e Shqipërisë, në mënyrë që në mes të dy shteteve të bëhet një kompani e përbashkët”, ka thënë Haxhiu.

Por, kryeministri i Kosovës ishte përgjigjur se “hapja e një avio-kompanie publike nuk është në agjendë, sepse Kosova është në proces të rregullimit ekonomik dhe kjo nuk mund të bëhet”.

Se Kosova nuk ka kushte dhe mundësi materiale, e thonë edhe ekspertë të aviacionit. Sipas tyre, në Kosovë nuk ka kuadro profesionale dhe teknike për të themeluar dhe mirëmbajtur ndonjë kompani publike.

Ali Aliu, piloti i parë kosovar që ka drejtuar aeroplanët reaktivë dhe supersonik në ish-Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë, thotë se shteti i Kosovë nuk ka mundësi financiare për një investim të tillë.

Edhe shtetet tjera që kanë dalë nga ish-Jugosllavia nuk kanë kompani të veta. Pasi janë shumë të kushtueshme, ka probleme të ndryshme dhe të gjithë janë orientuar në kompani private”.

“Kjo, sepse është investim i madh, si blerja e avionëve, mandej servisimi i tyre, marrja e lejeve për operim çdo vit, janë të kushtueshëm kuadri, pilotët, teknikët dhe inxhinierë të aviacionit”, thotë Aliu.

Por, përveç këtyre, Aliu i cili njëherësh ka qenë drejtor i departamentit të Aviacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se Kosova nuk është anëtare në Agjencinë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), e as në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

“Kosova i ka të kufizuara operimet. Edhe nëse kemi kompaninë tonë, ajo mund të operojë vetëm në Kosovë ose nëse arrihet ndonjë marrëveshje bilaterale me shtete të ndryshme. Pra, ne nuk e kemi të lirë hapësirën e Evropës”, thekson Aliu.

Sipas Ligjit të Aviacionit Publik të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përdorimi i hapësirës ajrore të Kosovës është i lirë për të gjithë avionët civil të regjistruar në Kosovë; me kusht që ky përdorim të bëhet në përputhje me të gjitha kushtet ose kufizimet e aplikueshme të përcaktuara me ligjet e Kosovës.

Në Aeroportin e Prishtinës, aktualisht operojnë 24 kompani ajrore, kurse sipas të dhënave të zyrtare , numri i pasagjerëve brenda një viti kalon mbi një milion. Gjatë këtij viti, numri i pasagjerëve pritet të jetë rreth 1 milion e 600 mijë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG