Ndërlidhjet

Maqedoni: Përgatitjet e kushtueshme për dimër


Ilustrim

Ilustrim

Qytetarët në Maqedoni thonë se muajt gjatë stinës së vjeshtës, janë më të papërballueshmit për tërë vitin, për shkak të shpenzimeve për pajisjen e fëmijëve me mjete mësimore në shkollë, përgatitjen e ushqimeve për dimër dhe njëkohësisht dhe sigurimin e druve, si lëndë djegëse për ngrohje.

“Po gjatë dimrit për ngrohje përdor dru, standardin askund s’e kemi. E ngroh vetëm një dhomë se më shumë s`ke shanse, kur e di se 70 euro duhet të paguash për një metër dru përderisa marr vetëm 2 mijë denarë ndihmë sociale, (rreth 35 euro). Katastrofë bëhet nëse do ta përdorja edhe rrymën elektrike për t`u ngrohur gjatë dimrit”, thotë Halil Mjaku nga Shkupi.

Derisa autoritetet qeveritare kanë theksuar se do të bëhet furnizimi me kohë dhe çmimi i druve nuk do të kalojë vlerën prej 50 eurosh, qytetarët thonë se mungesa e kësaj lënde djegëse ka bërë që çmimet në treg të jenë shumë më të larta.

“Çmimet e druve nuk janë aspak reale, kur për një metër dru duhet të paguhet nga 50 deri në 70 euro. Në fshatin Luboten edhe pse jemi rrëze malit, nuk kemi dru, ngrohemi në një dhomë dhe ashtu e kalojmë dimrin”, tregon Bakiu.

Ndërsa, Bojana Arsenovska, pohon se edhe këtë vit do të bëjë disa kavanoz me “ajvar” dhe reçel, si rrjedhojë e traditës, edhe pse pemët dhe perimet në treg thotë ajo, këtë vit janë mjaft të kushtueshme.

“Ne, tradicionalisht, bëjmë turshi dhe nuk dua t’ua prish këtë traditë prindërve të mi, edhe pse këtë vit për pesë deri në dhjetë denarë çmimet e pemëve dhe perimeve janë më të larta krahasuar me vitin kaluar”, pohon ajo.

Zharko Stojanovski thotë se për standardin e ulët jetësor, fajin e ka zhdukja e klasës së mesme, së cilës thotë se i ka takuar.

“Nuk mund të flas për atë se sa janë reale çmimet, me vetë faktin se është zhdukur ajo klasa e mesme. Kuptohet se për masën më të gjerë të popullatës, nuk janë reale çmimet. Unë kam punuar në fabrikë, kurse bashkëshortja ime ishte e punësuar në shitje të tekstilit dhe ne me dy rroga, kishim gjithçka për fëmijët tonë, kurse tani dy rroga nuk mjaftojnë as për gjërat elementare”, thekson Zharko Stojanovski, pensionist.

Ekspertët e ekonomisë duke komentuar ankesat e qytetarëve për çmimet e gjërave elementare për jetesë,thonë se në Maqedoni për çdo vit rritet përqindja e familjeve të varfra, madje edhe atëherë kur ata kanë persona të punësuar, shkaku i pagave të ulëta kundrejt kostos së lartë për jetesë.

Fatkeqësisht, sikur është humbur ajo shtresa e mesme e popullsisë në Maqedoni, kemi një përqindje shumë të ulët të popullatës, e cila është e pasur dhe lë hapësirë të madhe se si kanë arritur që pjesa më e madhe pasurisë të përqendrohet vetëm tek ata, dhe njëkohësisht kemi një përqindje të lartë të qytetarëve me të ardhura të ulëtaose pa kurrfarë të ardhurash. Kjo bën që këto familje të kategorizohen si familje të varfra dhe kostoja e shpenzimeve të vjeshtës për ta gjithnjë e më shumë bëhet e papërballueshme”, thekson Arben Halili, ekspert i ekonomisë.

Sociologu Ilia Acevski konsideron se për shkallën e lartë të varfërisë kanë kontribuar politikat e gabuara të qeverisë.

“Interesat e përgjithshme të shoqërisë duhet të jenë në maje të prioriteteve të udhëheqësvesë shtetit, por kjo në Maqedoni për shumë vite anashkalohet. Në fokus mbeten vetëm interesat më të ngushta të personave të caktuar, të cilët janë në krye të shtetit".

"Kjo ka bërë që në shoqërinë maqedonase të thellohet gjithnjë e më shumë hendeku mes atyre që kanë pasuri marramendëse dhe asaj pjesës tjetër përkatësisht familjet, të cilat kanë të ardhura, por megjithatë janë të varfra, sepse shpenzimet janë shumë më të larta se rroga mesatare”, thekson sociologu Ilia Acevski

Nga ana tjetër, Arben Halili, ekspert i ekonomisë, thotë se kostoja e lartë e çmimit të energjisë elektrike, si dhe druve për ngrohje gjatë sezonit të dimrit, është si rrjedhojë e, siç shprehet ai, “monopolit të kontrolluar” që mban shteti ndaj këtyre dy korporatave, pyjeve të Maqedonisë dhe Korporatës së energjisë elektrike .

“Përderisa kemi një monopol të shtrënguar, përkatësisht të kontrolluar sa i përket energjisë elektrike, si për kompanitë, ashtu edhe për amvisëritë, sigurisht që konsumimi i energjisë do të ketë kosto të lartë, dhe si alternativë për ngrohje mbeten drutë, që këtë vit përjetoi një rritje të tepruar të çmimit të shitjes së druve në treg".

"Kjo ndodh për shumë arsye, e para dhe më e rëndësishmja është ajo se në vend për shumë vite është bërë prerja e pakontrolluar e drunjve dhe mungesa e kësaj lënde për ngrohje në treg, ka ndikuar në rritjen e çmimeve”, vlerëson Halili.

XS
SM
MD
LG